Kompania modeste pas kullës 100 mln euroshe. Si ra SPAK në gjurmët e pastrimit të parave nga Shtufi

12 June 2026, 12:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kompania modeste pas kullës 100 mln euroshe. Si ra SPAK në
Ilir Shtufi

Kostoja e ndërtimit të kullës ‘Mali i Tiranës’ në lulishten pas Teatrit të Operës dhe Baletit përllogaritet në rreth 100 milionë euro, sipas projektit fitues të studios daneze të arkitekturës, Cebra.

Kompania e listuar si partnere e CEBRA-s dhe që po ndërton këtë kullë, kundërshtuar në atë kohë nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga Lëvizja Bashkë, është ‘Nova Construction 2012’, 91 për qind e aksioneve të së cilës i zotëron Ilir Shtufi, ndërsa pjesën tjetër vëllai i tij.

Vlera e investimit ngriti dyshime mbi kapacitetet financiare të kompanisë për ta ndërtuar këtë kullës.

Por, çfarë i ushqeu hetimet e SPAK për financimin e kullës me 64 kate? Së pari janë të dhënat financiare të kompanisë ‘Nova Construction’.

Sipas bilanceve financiare të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve nga vetë kompania, buxheti i saj është tepër modest për të realizuar një investim 100 milionë eurosh, aq sa përllogaritet kulla.

Në fund të vitit 2022, para se të merrte lejen për kullën, kompania deklaron totalin e kapitalit dhe të detyrimeve në vlerë rreth 45 milionë euro. Nga këto, 42 milionë euro janë detyrime të saj. Pjesa dërrmuese e kësaj vlere janë në formën e pronave të patundshme që kompania ka ndërtuar, ose ka në proces ndërtimi.

Për të njëjtin vit, ‘Nova Construction’ deklaron fitime në vlerën e 1.9 milionë eurove dhe 3.4 milionë euro vlerë mallrash që ka në inventar.

Shifrat pasqyrojnë një gjendje financiare relativisht të qëndrueshme për kompaninë, por shifra e likuiditetit, pra e parave që ajo ka në gjendje për investim është shumë larg vlerës prej 100 milionë euro, që përllogaritet kostoja e kullës në lulishten pas Teatrit të Operës dhe Baletit.


Video