Shkrimtari dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi u bashkohet zyrtarëve dhe intelektualëve të vendit të cilët janë tronditur nga vala e llumit të urrejtjes që është derdhur ditët e fundit në rrjetet sociale, menjëherë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ky nuk është rasti i vetëm, por më i freskëti që tregon shumë për përmbysjen e çdo norme, morali a kodi shoqëror, që nuk respekton as të vdekurin në ditët e mortit.
"Unë zakonisht nuk i ndjek komentet, rri larg debateve që shpesh kthehen në fushëbeteja fjalësh që nuk dua ti dëgjoj. Por këtë herë, kur i lexova, mbeta i tronditur dhe i lënduar. Një valë urrejtjeje e pashpjegueshme ndaj gjyqtarit të ndjerë. Një krenari e çuditshme për vrasësin. Një përmbysje e frikshme e logjikës njerëzore", shkruan Ahmet Prençi.
I tronditur, ai pyet sesi mundet njeriu të reagojë me aq mllef për dikë që s’e njeh, s’e ka takuar kurrë, nuk ka ndarë asnjë ditë e asnjë çast jete me të.
"Thjesht sepse teknologjia i ka dhënë mundësinë të shkruajë gjithçka, kurdo, për këdo, pa u menduar. Kjo liri pa kufij është kthyer në shpatë që pret çdo ndjeshmëri, çdo respekt, çdo ndalim moral", vijon shënimi, ndërkohë që këto komente kanë nxitur edhe reagim të përfaqësuesve të qeverisë.
Urrejtja, më shumë se për figurën e gjyqtarit dhe profesionistit të mirë Astrit Kalaja, është për sistemin e drejtësisë dhe zvarritjen disavjeçare të proceseve gjyqësore për qytetarët e thjeshtë.
Sepse vet qytetarët, i thurin elozhe autorit për sistemin e kalbur të drejtësisë, jo në vetëvete për Astrit Kalanë.
Lidhur me ketë, Ahmet Prençi jep mesazhin se kushdo është i zhgënyer nga shërbimi i keq i zyrtarëve publik, kushdo ka kaluar kalvar në zyrat e drejtësisë pa mundur ta fitojë atë edhe përse ju takon, mos ta kërkojë shkakun tek një njeri që ikën nga kjo jetë.
"Dikur, në Shqipërinë e varfër, edhe hasmi e ndalte fjalën përpara mortit. Vdekja kishte një kod të shenjtë. Sot, në epokën e komenteve, ky kod është harruar. Të vdekurit fyehen, në ditën e varrimit, në sy të fëmijëve e të familjes. Një turmë virtuale nxjerr çdo duf, çdo brengë, çdo dështim personal mbi trupin e dikujt që s’mund të mbrohet më", vijon mesazhi i ish-kryepolicit.
Ai thotë se për gjyqtarin Astrit Kalaja, ka pyetur miq të tij, prokurorë, gjyqtarë e avokatë që kanë punuar me të.
"Të gjithë më thanë të njëjtën gjë: ishte njeri i qetë, i matur, i ndershëm dhe i përkushtuar. Një qytetar shkodran tipik, me fjalë pak dhe me maturi të admirueshme. Një njeri i zakonshëm, që besonte se drejtësia është shërbim, jo pushtet", vijon Ahmet Prençi.