“KFC” ka shitur 1357 kg mish pule të infektuar me salmonelë, AKU fsheh pamjet e asgjësimit!

30 Shtator 2024, 13:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KFC

Plot 1357 kg mish pule i infektuar me bakterin e salmonelës është tregtuar në rrjetin e dyqaneve “KFC” në Shqipëri, duke rrezikuar jetën e konsumatorëve.

Kjo sasi e shitur mund të ishte akoma më e madhe nëse portali “RASFF” i Bashkimit Evropian nuk do njoftonte  AKU-n për ta bllokuar dhe larguar menjëherë mishin me bakterin e rrezikshëm.

Nga ana e tij, ky institucion që paguhet nga taksat e qytetarëve për sigurinë ushqimore bëhet “avokat” i kompanive private.

Në njoftimin e publikuar nga AKU citohet alerti që vjen nga BE-ja, por mungojnë pamjet e mishit të pulës “KFC” që do ta qartësonte më shumë konsumatorin.

Ora News shkruan se e ka pyetur këtë institucion se përse njoftimi nuk shoqërohet me foton e produktit?!

AKU mundohet ta mbylle ketë çështje pa zhurmë më pretendimin se sistemi “RASFF” i BE-së nuk i ka dërguar  foto.

Kjo përgjigje qesharake nuk është aspak serioze për një autoritet siç ishte ai i sigurisë ushqimore, pasi inspektorët që kanë  bllokuar sasinë e mishit të pa shitur sigurisht që e kanë dokumentuar me foto.

Mospublikimi i fotove krahas njoftimit tregon qartë se AKU shqetësohet më shumë për imazhin e subjekteve private sesa për shëndetin e qytetarëve.

Ndërkohë që do të ishte e kundërta, transparenca do të sillte edhe më shumë besueshmëri.

Çdo person që ka konsumuar  një produkt që i ka rrezikuar shëndetin, ka të drejtë të dijë se cili është subjekti që e ka importuar në vendin tonë mishin e pulës “KFC” të infektuar me salmonelë.

Këtë pyetje ia kemi drejtuar në mënyrë te përsëritur, AKU e cila nuk na ka dhënë asnjë informacion me arsyetimin se subjekti është në proces gjyqësor me AKU dhe për këtë arsye nuk mund të jepen të dhënat e importuesit.

Edhe pse emri i subjektit nuk do bëhet publik, fakti është se 1357 kg mish pule të infektuar me bakterin e  salmonelës iu shit qytetarëve, ndërsa  177.12 kg thuhet se u asgjësuan.

AKU ka detyrim ligjor që të informojë median dhe qytetarët në lidhje me asgjësimin e sasisë së mbetur të mishit.

Ora News i ka kërkuar këtij institucioni  procedurën e asgjësimit të mishit “KFC” të bashkëshoqëruar me foto.

AKU shprehet se asgjësimi është bërë në datë 30.8.2024, por nuk na vë në dispozicion asnjë foto ose video që ta  faktojë se kjo procedurë është kryer.

Çdo procedurë asgjësimi faktohet me foto edhe video.

Por a e ka AKU të dokumentuar me foto dhe video asgjësimin e mishit të pulës “KFC” me salmonelë?

Nëse po, përse e shmang detyrimin ligjor dhe nuk ia vendos në dispozicion medias dhe publikut?

AKU ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë që ka lejuar tregtimin e një produkti që ka rrezikuar jetën e qytetarëve dhe në vend të një ndjese publike, kalon në arrogancë duke mos siguruar qytetarët që sasia e mbetur e mishit të infektuar me salmonelë është asgjësuar.

Video