Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës.
Dy shtetas, vëllezërit Marjan Doçi dhe Mateo Doçi kanë goditur një efektiv të forcave “Shqiponja” brenda mjediseve të policisë së Shkodrës duke i rënë me grusht.
Dy vëllezërit janë futur me forca brenda oborrit të policisë dhe aty kanë goditur policin e “Shqiponjave”. Gjithçka ka ndodhur pasi policia ka ndalur në rrugë një automjet për kontroll rreth orës 14:00 të 29 shtatorit por dy personat që ndodheshin brenda kanë kundështuar forcat “Shqiponja” duke mos iu bindur dhe më pas janë shoqëruar në komisariat.
Pas këtij shoqërimi në mjediset e policisë kanë mbërritur vëllezërit Marjan dhe Mateo Doçi duke qenë se makina e ndaluar është e tyre. Ata janë njoftuar nga dy personat që ndodheshin në automjet për ndalimin nga ana e policisë. Këta dy shtetas kanë kërkuar që automjeti të nxirret me forcë nga mjediset e komisariatit dhe aty janë konfliktuar edhe me një efektiv të Shqiponjave duke e goditur me grusht.
Pas kësaj ngjarje forcat e policisë kanë arrestuar dy vëllezërit Doçaj të cilët janë të dyshuar për veprën penale “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim i forcave të policisë”.
Policia po heton për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të ndodhur në Shkodër. Ndërkohë shpesh herë efektivët e policisë përballen me të tilla raste me persona me rrezikshmëri për shkak se nuk iu binden ndalimeve që bëjnë uniformat blu.
Njoftimi i Policisë
Vihen në pranga 2 vëllezër pasi kundërshtuan me forcë dhe ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Procedohet penalisht dhe një 19-vjeçar, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Gjatë patrullimit të zakonshëm në sheshin “Prek Cali”, punonjësit e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë konstatuar një automjet dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të ushtruar kontroll për sende të kundërligjshme. Automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 19 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, ky shtetas ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Në momentin e shoqërimit të automjetit, shërbimet e Policisë janë kundërshtuar me forcë nga shtetasit M. D., 29 vjeç dhe M. M. alias M. D., 38 vjeç (vellezër), të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë shoqërimit të automjetit dhe në ambientet e brendshme të Drejtorisë Vendore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.