“Italia ka toka plot”, Gjekmarkaj: Me kampet, do të krijohet një geto në Lezhë, do të ketë probleme

9 Nëntor 2023, 22:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agron Gjekmarkaj

Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj, është skeptik ndaj marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për kampet e refugjatëve, duke ngritur pyetjen “kujt i duhet kjo”.

Gjatë diskutimit për marrëveshjen që u firmos pak ditë më parë mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni, Gjekmarkaj u shpreh se është e paqartë se çfarë përfiton Shqipëria.

Sipas tij, marrëveshja nuk është pritur mirë nga italianët.

“Duhet t’i jemi mirënjohës Italisë për çfarë ka bërë për ne në këto 32 vite. Por vetë shoqëria italiane, nuk priste këtë gjë prej nesh. Në Itali, pati akuza për racizëm të dyfishtë të qeverisë italiane. Racizëm për refugjatët dhe për Shqipërinë.

Nuk e kam të qartë pse vetëofrohet Shqipëria? Nëse bëhet fjalë për toka, Italia ka toka plot. Nëse është çështje që Italia të ikë nga ligjet e veta, e kam të vështirë ta pranoj”.

As nga lezhjanët nuk është pritur mirë kjo marrëveshje, tha Gjemarkaj.

“Nuk e kuptoj se çfarë fiton Shqipëria. Në Lezhë, kjo nuk është mirëpritur. Krijohet një geto në një zonë turistike. Do të jetë një kamp i hapur.

Një shqetësim i Evropës këto kohë është eksportimi i terrorizmit. Si do t’i trajtojë Shqipëria problemet e të drejtave të njeriut. Nuk di t’i vë një emër. Nëse bëhet si investim personal i kryem, pse duhet të bëhet kjo me shpenzimet e Lezhës. Ne pritëm afganët, por ata ikën nga lufta. Ishin njerëz të elitës. Pse t’i presë Lezha të gjithë?”

“Nuk e di se kujt i shërben kjo”, shtoi më tej deputeti.

 


Video