Ish drejtori i Burgjeve, Agim Ismajli është emëruar te IKMT në vend të Dallëndyshe Bicit.
Kjo lëvizje vjen pasi Bici mori zyrtarisht drejtimin e Agjencisë së Kadastrës Shqiptare. Bici mori drejtimin e Kadastrës pas largimit të Artan Lames pas më shumë se një dekade.
Më parë Ismaili ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Ismaili është përfolur jo pak në postet që ka mbajtur.
Muaj më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë shkarkimin nga detyra të Ismailit dhe të 3 zyrtarëve të tjerë në lidhje me një tender për ushqimin në burgje dhe për furnizim me ilaçe.
Tenderi me vlerë 1.8 milionë lekë, sipas KLSH, ishte realizuar në shkelje me ligjin dhe për këtë arsye, i kërkoi prokurorisë hetimin e çështjes, ndërsa Ministrisë së Drejtësisë, shkarkimin e 4 zyrtarëve.
Ismaili gjithashtu ka mbajtur postin e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimeve si dhe nëndrejtorit të pastrimit të Parave.