Gazetari Artan Hoxha ka bërë të ditur sonte SPAK ka në hetim një çështje ku janë përfshirë dy ish-kryeministra dhe ministra. Hoxha u shpreh se personalisht i ka vënë SPAK në dispozicion dy kaseta për këtë çështje, ndërsa tha se nuk mund të jepte në lidhje me këtë dosje.
“Dosje të tjera të cilat SPAK i ka nën hetim, në dijeninë time janë çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin. Çështjet me korrupsionin janë më të shumta në numër se ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Edhe pse çështjet që ka finalizuar SPAK deri më tani janë çështje që kanë të bëjnë me krimin e organizuar më shumë. Mes këtyre janë dy çështje, të paktën i di se jam vetë i përfshirë në këtë histori. Këtu kam materialin që unë e kam dorëzuar vetë në SPAK, kasetat e filmuara të marra nga një personazh i rëndësishëm. Unë nuk i kam publikuar në kohën kur i kam marrë ato materiale sepse rrezikoja jetën e personit që kisha regjistruar. Ia kam vënë në dispozicion SPAK në Korrik të vitit të kaluar. Mos më kërko detaje të tjera sepse… Është çështje e rëndësishme, por SPAK ende nuk ka finalizuar në lidhje me këtë. Unë e di që po punon për këtë çështje, e di që në këtë çështje janë përfshirë dy ish-kryeministra, ka ministra në këtë histori. Unë kam çuar në datën 22 Korrik 2021 dy video, njëra është 1 orë e 47 minuta, tjetra është diku tek 2 orë të plota. Detajet të thashë nuk dua t’i jap”, tha Hoxha në “Opinion”.
Sakaq, gazetari ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të shkojë në Bruksel për të dëshmuar në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”. Gazetari tha se e shqetëson fakti që autoritetet belge zgjodhën që mos e merrnin dëshminë e tij në Tiranë për shkak të frikës se mund të dekonspiroheshin.
“Unë javën tjetër ditën e martë në orën 10:00 do të jem në Bruksel pranë Prokurorisë Federale Belge për të dëshmuar në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”. Ditën e martë jam atje. Ka dhe një element tjetër që më shqetësoi në fakt. Autoritetet belge zgjodhën që mos e merrnin dëshminë në Tiranë sepse sipas tyre deklarimet që mund të bëja në Tiranë mund të dekonspiroheshin dhe ata kërkuan që unë këtë deklarim ta bëj pranë prokurorisë belge në Bruksel”, tha Hoxha.
Në lidhje me këtë çështje gjykata në Shqipëri ka dënuar me 1.5 vite burg Ervis Vladin. Ai u kap 4 vite më parë me 3.4 milionë Euro. Por ky rast do të bënte bujë pasi do të paralajmërohej me anë të një deklarate në Kuvend nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Për pasojë, në lidhje me këtë çështje ka dhënë deklarime para prokurorëve belgë edhe Basha.