Gjykata e Posaçme ka ndarë çështjen penale për dosjen Metamorfoza, duke pranuar pjesërisht kërkesën për gjykim të shkurtuar.
GJKKO ndan më vete Pëllumb Gjokën, Edmond Preka dhe Behar Brajoviç duke qenë se kanë vepra më të rënda penale se të akuzuarit e tjerë. Të tre këta do gjykohen me procedurë të zakonshme.
Ndërsa ish prokurori Xhevahir Lita, Ardit Hasanbegaj, Astmer Bilali dhe ish shefi i Operacionales Oltian Bistri do gjykohen me procedurë të shkurtuar.
Vendimi u dha nga treshja e gjyqtarëve Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.
Ndaj grupit prej 7 personave rëndojnë disa vepra të rënda penale , duke nisur nga “Vrasja me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, etj.
Për personat e tjerë nën hetim për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga GJKKO, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është është ndarë çështja penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.
Në seancën e radhës datë 19 maj ora 15.00, prokuroria e posaçme do japë konkluzionet përfundimtare për personat që do gjykohen me procedurën e shkurtuar.