Gjatë vizitës që presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan bëri në Tiranë më 17 Janar të këtij viti, i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të ndërmarrë hapa konkrete për të luftuar gylenistët si një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve. Sipas tij, popullin turk “e lëndon thellë” fakti që në Shqipëri Lëvizja Hizmet e klerikut, Fetullah Gylen gjen fushëveprim.
Por, kreu i qeverisë shqiptare prej asaj kohe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për kërkesën e Erdogan, madje duket se Lëvizja Hizmet e klerikut, Fetullah Gylen i ka shtrirë rrënjët edhe më shumë në Shqipëri.
Së fundmi është përkthyer në shqip biografia e klerikut turk Fethullah Gylen, me autor Jon Pahl, profesor i historisë së Krishtërimit në Pensilvani, njëkohësisht edhe Pastor. Ajo është promovuar ditën e sotme në ambientet e një hoteli në kryeqytet ku kanë qenë i pranishëm dhe autori amerikan Pahl, i cili ka folur rreth principeve të Gylenit mbi mënyrën se si e shpjegon dhe jeton ai islamin.
Ky akt i fundit dhe përhapja masive e gylenizmit në Shqipëri duket se nuk do i pëlqejë aspak presidentit turk. Rexhep Taip Erdoganin dhe kleriku Fetullah Gulen dikur ishin aleatë me njëri-tjetrin ndërsa sot janë armiq të betuar. Një ndër akuzat më të forta që Erdogan bën ndaj Gylenit është ajo e grushtit të shtetit më 15 korrik 2016, për të cilën presidenti turk akuzon Lëvizjen Hizmet si ideatore të saj.
Pas një niqësie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin, burime diplomatike bëjnë me dije se Rama dhe Erdogan kanë ndërprerë komunikimin me njëri-tjetrin dhe shkak është bërë mosplotësimi i kushtit që presidenti turk i vendosi kryeministrit të Shqipërisë gjatë vizitës më 17 Janar të këtij viti në Tiranë.