EMRI/ Ekzekutoi Besnik Hidën në Lushnje, ARRESTOHET pas 6 vitesh autori!

10 Maj 2025, 09:39Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia greke ka arrestuar në Pire një nga autorët e dyshuar të ekzekutimit të 40-vjeçarit Besnik Hida, krimi ndodhur në Lushnjë më 1 Tetor të vitit 2019.

Në pranga ka rënë 51-vjeçari Ardian Ahmetaj, i cili akuzohet se kreu vrasjen në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin.

Ardian Ahmetaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

51-vjeçari dyshohet se në vitin 2019, në lagjen “Skënder Libohova” të Lushnjës, në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin kanë vrarë me armë zjarri Besnik Hidën. Ky i fundit u qëllua në ambientet e një lokali, teksa autorët mbanin maska dhe armë zjarri.

Autorët e dyshuar të ekzekutimit të Besnik Hidës u zbuluan katër vite pas krimit ku policia njoftoi më 20 Korrik 2023 se ishin identifikuar.

Besmir Hida ishte daja i Zamir Latifit, të riut që u vra në 11 Tetor të vitit 2017 në Lushnjë, teksa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kapet në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi kriminal.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për një shtetas të kërkuar që fshihej në Greqi dhe menjëherë, nëpërmjet Interpol Tiranës, kanë bashkëpunuar me homologët grekë për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë, në Pire, Greqi, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi A. A., 51 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Ky shtetas, dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me shtetasit L. H. dhe O. B., kanë vrarë me armë zjarri shtetasin B. H.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimin e ketij shtetasi në Shqipëri.

Dëshmia e kunatit të Besnik Hidës:

Besnik Hida është vrarë nga të njëjtët atentatorë që i masakruan dhe nipin, kështu pretendoi babai i Zamir Latifit, Fatos Latifi.

“Ai ishte daja i djalit. Kjo është arsyeja. Tani nuk qëndron problemi vetëm i kunatit. Këtu ishte problemi i të gjithëve ne. Ata janë shprehur që kur bënë goditjen sapo ka filluar, që kur bënë masakrën e parë. Sapo ka filluar thanë. Kjo që ka filluar do dalë në fund”, deklaroi ai dy ditë pas ekzekutimit të kunatit të tij.

Fatos Latifi u shpreh në atë kohë se ishte një grup që merrej me drogën, që qëndronte pas krimit, por nuk përmendi emra.

“Policia këtu është zero. I kemi njoftuar për vendndodhjen e tyre. Tani personat që ne dyshojmë, janë grup i madh…  Ne i kemi dhënë një video shtetit, që kur është bërë organizimi, kur u vranë çunat. Ku është bërë organizmi para se të bënin masakrën dhe deri tani nuk është bërë asnjë lloj arrestimi”, tha Fatos Latifi.

Fatos Latifit në vitin 2017 iu vra i biri, Zamir Latifi së bashku me shokun e tij Jurgen Hoxha në një atentat të organizuar.

Për krimin e dyfishtë, që u konsiderua si masakra e Lushnjës, u dënuan me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Laert Haxhiu.

Por si ndodhi masakra e Lushnjës?

Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, ndërsa dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku, që po kalonte në atë moment me biçikletë, kanë mbetur të plagosur lehtë.

Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit. Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë. Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në kafene dhe menjëherë ka hapur zjarr me automatik. Ai ka lëshuar dy breshëri kallashnikovi, ndërkohë që ka lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi.

Më pas, ai është larguar shumë shpejt në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plastmasit. Zamir Latifit i ishte bërë atentat edhe një herë tjetër, një vit para ekzekutimit.

Ai ishte shok me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ndërkohë që Xhulio Shkurti mori një plumb në këmbë, ndërsa u plagos edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Dy vjet pas ngjarjes së rëndë, që u quajt edhe si “masakra e Lushnjës”, ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera.

Enver Boriçi ishte viktima e radhës e atentateve mafioze, i cili u vra në dhjetor të 2019, ndërkohë që u ekzekutua edhe Besnik Hida po në të njëtin vit. Ky i fundit daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi. Nga Policia u dyshua se vrasja e tij mund të kishte lidhje me vrasjen e Zamir Latifit, për të cilin daja i tij kërkonte të bënte drejtësi dhe të zbardhej ngjarja.

Si i shpëtoi atentatit nipi i Aldo Bares

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se masakra e datës 11 tetor 2017 ka pasur si objektiv Xhulio Shkurtin, nipi i Aldo Bares. Vrasja e mbetur në tentativë disa vite më parë ndaj Xhulio Shkurtit, konkludohet se është kryer për hakmarrje, referuar këtu dhe historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut.

Kjo hakmarrje e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares alias Alfred Shkurti i ka djegur shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, Shkëlqim Haxhiu.

Më pas në janar të vitit 2005, është vrarë djali i xhaxhait të Laertit, Klodian Haxhiu. Në vitin 2016 Laert Haxhiu tentoi të vriste Xhulio Shkurtin, vrasje të cilën nuk arriti ta finalizojë dhe tentoi përsëri në mënyrë të organizuar të finalizojë në vitin 2017, por përsëri pa sukses.

Pikërisht, mosfinalizimi i vrasjes së Xhulio Shkurtit, ishte shtysa që Laert Haxhiu të tentonte përsëri për të eliminuar Shkurtin, por këtë radhë në mënyrë më të organizuar.

Për të realizuar këtë qëllim, Haxhiu pas shtatorit të vitit 2016 në një kohë të papërcaktuar saktë, ka krijuar një grup kriminal në përbërjen e të cilit ka future lidhjet e tij të ngushta shoqërore, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin si dhe persona të tjerë.

Video