Debati i të premtes / Kush e fitoi audiencën: Sali Berisha në Top Story apo Edi Rama në Opinion?

10 Maj 2025, 09:12Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama/ Sali Berisha

E premtja e 9 majit solli sërish një përballje të pazakontë televizive në dy ekranet më të mëdha kombëtare në Shqipëri.

Ndërsa në Top Channel, në emisionin Top Story, ishte i ftuar lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me strategun amerikan Chris LaCivita, në TV Klan, kryeministri Edi Rama ishte pjesë e një emisioni special të Opinion, së bashku me disa nga ministrat e tij.

Përballë dy intervistave të forta dhe të ndjekura, lind natyrshëm pyetja: Kush e fitoi audiencën e të premtes mbrëma?

Të dhënat nga platformat online japin një pamje interesante:

• Në YouTube, në kanalin zyrtar të Top Channel, intervista e Sali Berishës në Top Story ka grumbulluar 61 mijë shikime, ndërsa ajo e Edi Ramës në kanalin zyrtar të TV Klan, vetëm 22 mijë.

• Në Facebook, Rama ka publikuar dy video, të cilat së bashku kanë arritur 476 mijë klikime. Ndërkohë, Berisha ka shpërndarë tre video, me një total prej 458 mijë klikimesh.

Në total, të dhënat e kombinimit të dy platformave, Youtube dhe Facebook, tregojnë se intervista e Sali Berishës në Top Story është ndjekur më shumë në raport me atë të Edi Ramës në Opinion, të paktën në aspektin e audiencës online.

Kjo përballje mes liderëve politikë, jo vetëm në ide dhe qëndrime, por edhe në ndikimin mediatik, reflekton polarizimin e fortë në skenën politike shqiptare, ku edhe shikueshmëria kthehet në një instrument matës të peshës dhe ndikimit publik.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video