Dumani: Pranimi i 40 hetuesve të rinj në BKH u shty në pritje të godinës së re

14 Prill 2025, 12:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kreu i SPAK, Altin Dumani

Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi këtë të hënë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë mbi punën e këtij institucioni gjatë vitit 2024.

Dumani u ndal edhe te shifrat e stafit dhe vakancat, ndërsa tha se pranimi i 40 hetuesve për Byronë Kombëtare të Hetimit është shtyrë për shkak të mungesës së hapësirave dhe në pritje të ndërtimit të godinës së re.

“Gjatë vitit 2024 kemi pasur një volum pune të madh administrative. SPAK është i angazhuar për plotësimin e vendeve të lira me qëllim një efikasitet të plotë të këtij institucioni. Gjatë vitit 2024 kanë ushtruar detyrën 114 punonjës, nga të cilët 20 prokurorë të emëruar, 12 hetues financiarë, 80 punonjës administrativë dhe dy punonjës me kontratë të përkohshme.

Sa i takon Byrosë Kombëtare të Hetimit, po vijon procedura për rekrutimin e 40 hetuesve, e cila është shtyrë në kohë për shkak të pamjaftueshmërisë së hapësirave fizike, të cilat pritet të zgjidhen me përfundimin e godinës së re. Viti 2024 është mbyllur me disa vakanca: një në kabinetin e drejtorit të BKH, 50 në pozicionet e shërbimit të policisë gjyqësore, 40 hetues siç e përmenda më lart, dhe 11 në stafin administrativ”, tha Dumani.

Kujtojmë që aktualisht në BKH ushtrojnë detyrën 60 hetues ndërsa Dumani kërkoi që SPAK të ketë edhe këshilltarë ligjorë që do ti vinin në ndihmë prokurorëve për seancat në Apel, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Dumani tha se ka dalë urdhëri për miratimin e dokumentit për fillimin e fazës së pilotimit elektronik të menaxhimit të dosjeve.

Kreu i SPAK foli gjithashtu dhe për probelmatikat dhe vonesat në proceset gjyqësore.

“Problematikë zvarritja e proceseve gjyqësore, deri edhe tek seancat paraprake. Jo për faj të prokurorëve, por kërkohet ndërhyrja, pasi zvarritja e tyre me procedurë rrezikon edhe afatet ligjore dhe dëmtimin e procesit. Edhe seancat paraprake janë problem, sikurse edhe gjykimi i shkurtuar, pasi zgjasin më shumë sesa para vitit 2017 kur u bënë ndryshimet ligjore. Kjo për shkak të futjes së gjyqtarit të seancës paraprake, dhe kjo merr kohë. Ka procese që shkojnë me hetime deri në 2, 3 apo 4 vjet, sepse kërkojnë kohë. Duan kohë edhe për faktin e letër-porosive që dërgohen dhe përgjigjet që pritet të vijnë, të cilat shpesh zgjasin”, tha ai.

Seanca dëgjimore e Dumanit para KLP-së u ndoq edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane si edhe një prokuror i OPDAT.

Video