I premtoi 500 euro për të votuar Partinë Demokratike, si Marin Leka ra në “grackë”!

14 Prill 2025, 11:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Marin Leka

Tre ditë nga nisja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, u regjistrua dhe arrestimi i parë për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Bëhet fjalë për 38-vjeçarin nga Lushnja, i identifikuar si Marin Leka, i cili ra në prangat e bluve pasi i kishte premtuar një shumë parash një qytetari në këmbim të votës për Partinë Demokratike.

Leka i kishte marrë kartën e identitetit shtetasit Muharrem Toska dhe i kishte premtuar 500 euro në këmbim të votës për partinë e drejtuar nga ish-kryeministri, Sali Berisha.

Ka qenë vetë Toska ai i cili denoncoi 38-vjeçarin në Polici duke theksuar se pasi i dorëzoi kartën e identitetit u pendua dhe për këtë arsye iu drejtua autoriteteve.

Në dëshminë para grupit hetues, Toska ka deklaruar se Leka do t’i jepte paratë në këmbim të votave për Partinë Demokratike.

Megjithatë pasi i ka dhënë kartën, është penduar, dhe si rrjedhojë vendosi që ta denoncojë.

Nga ana tjetër, gjatë kontrolleve në shtëpi, Marin Lekës i është gjetur ID me emrin e Muharrem Toskës.

Para bluve vetë Leka ka pohuar se ia ka marrë kartën e identitetit si premtim për të votuar, por ka refuzuar të tregojë se për cilin subjekt është bërë premtimi.

Kjo dosje i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila është kompetente për të hetuar krimet zgjedhore.

“Task-Forca” e ngritur, me në krye kreun e SPAK, Altin Dumanin do të funksionojë për 3 muaj, deri në fund të majit, dhe përbëhet nga një strukturë qendrore dhe grupet hetimore të shpërndara në terren gjatë periudhës zgjedhore.

Pjesë janë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës në të 12 qarqet dhe 61 bashkitë, teksa në Tiranë struktura qendrore do të drejtohet nga vetë Altin Dumani.

Krimet zgjedhore që SPAK do të hetoj për parlamentaret e 11 majit janë, korrupsioni aktiv në zgjedhje, korrupsioni pasiv në zgjedhje, grupet kriminale në zgjedhje dhe çdo krim zgjedhor nga zyrtarët e lartë.

Video