
Seanca maratonë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është shoqëruar me përplasje dhe debate mes të arrestuarve pas zbërthimit të Nuredin Dumanit, që ka çuar pas hekurave disa emra të dyshuar si vrasës me pagesë, e biznesmenë porositës të këtyre vrasjeve.
Mes të ndaluarve është edhe 31-vjeçari Besjan Xhixha. Ky i fundit në seancën e caktimit të masës së sigurisë ka lëshuar një deklaratë bombë, sipas News24.
“Nuredin Dumani ka kryer 12 vrasje. Pas çdo vrasje, na ka thënë se nuk më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madhe më ka thënë që ka lidhje me prokurorin Altin Dumani. E ka njeriun e vetë dhe ndihej i mbrojtur. Dumani është strehuar më shumë sesa një vit e gjysmë në shtëpinë time dhe e njoh dhëmbë e dhëmballë, madje një dhemb prej floriri e kemi vendosur tek një i afërmi im, nëse doni shkoni e verifikoni. Dumani duhet të flasë për të gjitha krimet që ka kryer, nëse me të vërtetë është i penduar”, ka deklaruar Xhixha.
Janë 13 të arrestuar që kanë dalë para gjykatës me akuzat e ngritura nga SPAK, ku dëshmitar kryesor është Nuredin Dumani.