“Bota ka nevojë për shpresë”, mesazhi i Papës për Pashkët: Shohim padrejtësi e mizori, por në errësirë gjithmonë lulëzon diçka e re

5 April 2026, 12:17Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Bota ka nevojë për shpresë”, mesazhi i Papës
Papa Leoni XIV

Kremtimi solemn i Meshës së Pashkëve "Ngjallja e Zotit" në Bazilikën e Shën Pjetrit, i kryesuar nga Papa Leoni XIV, mblodhi mijëra besimtarë nga e gjithë bota.

Në përfundim të liturgjisë, Papa dha bekimin tradicional “Urbi et Orbi” nga ballkoni qendror, ku nuk munguan mesazhet e paqes, shpresës dhe vëllazërisë universale.

“Vdekja është gjithmonë në pritje," tha Papa në predikimin e tij të Pashkëve, duke shtuar: “E shohim të pranishme në padrejtësi, në egoizmin e palëve, në shtypjen e të varfërve, në mungesën e vëmendjes ndaj më të dobëtëve. E shohim në dhunë, në plagët e botës, në britmën e dhimbjes që ngrihet nga të gjitha anët për abuzimet që shtypin më të dobëtit, për idhujtarinë e fitimit që plaçkit burimet e tokës, për dhunën e luftës që vret dhe shkatërron. Por Zoti është gjallë dhe mbetet me ne.”

Në predikimin e tij të Meshës së Pashkëve, Papa vuri në dukje se gjithmonë ka shpresë për njerëzimin, edhe në mes të errësirës e mizorisë.

"Është e vërtetë që shpesh duket sikur Zoti nuk ekziston: shohim padrejtësi, ligësi, indiferencë dhe mizori që nuk pakësohen kurrë. Por është po aq e sigurt se në mes të errësirës diçka e re fillon gjithmonë të lulëzojë, e cila herët a vonë jep fryte, sepse Pashka na jep këtë shpresë, duke na kujtuar se në Krishtin e ringjallur, një krijim i ri është i mundur çdo ditë".

Pashka është "një fillim i ri, është jeta që më në fund u bë e përjetshme nga fitorja e Zotit. Ne kemi nevojë për këtë këngë shprese", përfundoi Papa Leoni mesazhin e tij.


Video