Arrestohet 14-vjeçari në Tiranë, dyshohet se kreu 150 vjedhje

5 Shkurt 2026, 14:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia e Tiranës ka goditur një rast të vjedhjeve të organizuara, ku në pranga është vënë një 14-vjeçar.

Po ashtu, u arrestuan edhe dy shtetas të dyshuar për disa raste vjedhjeje, ndërsa hetimet kanë zbuluar se i mituri dyshohet të jetë përfshirë në një numër shumë të lartë vjedhjesh gjatë viteve të fundit.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiva parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të kryera, finalizuan operacionin policor të koduar “Popular”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit A. D., 48 vjeç dhe A. H., 41 vjeç, si dhe një 14-vjeçar që dyshohet se ka kryer 4 vjedhje, gjatë muajit shkurt, 2026.

Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kanë shtyrë të miturin, për të vjedhur 1 motomjet, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, të cilin e ka përvetësuar 41-vjeçari.

Gjatë kontrollit në një garazh në pronësi të shtetasit A. H, janë gjetur e sekuestruar 2 motomjete dhe pjesë motomjetesh.

I mituri dyshohet se gjatë 2 viteve të fundit, ka kryer rreth 150 vjedhje.

Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


Video