Banorët e tre fshatrave në qarkun e Beratit kanë protestuar ditën e sotme (5 shkurt) para Bashkisë.
Shkak është bërë mungesa e infrastrukturës rrugore që i lidh këto zona me njëra-tjetrën dhe me pjesën urbane.
Banorët e fshatrave Gjeroven, Mbolan dhe Veleshnje, u mblodhën në protestë përpara Bashkisë Berat, duke i bërë thirrje autoriteteve lokale që të marrin masa për të ndërtuar rrugën e re.
Një përfaqësi prej 4 personash ka hyrë në Bashki për t’u takuar edhe me drejtuesit e institucionit dhe sektorëve të linjës që mbulojnë Urbanistikën dhe Ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Rrugëve.
Dy prej përfaqësuesve nga banorët e protestës, që u takuan me nënkryetarin e bashkisë, pohuan pas daljes se zyrtarët u thanë që “nuk ka fonde dhe nuk bëhet dot rruga”.
“Na thanë bëni protesta sa të doni, rruga nuk bëhet se s’ka fonde Bashkia”, u shpreh një prej tyre për atë çfarë u bisedua në institucion.
Një tjetër banor shpjegoi se ishin pritur edhe nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Ceca, ndërsa shtoi se ky i fundit nuk i kishte ofruar zgjidhje.
“Bëmë takim me kryetarin. Ai na tha; ‘nuk kemi fonde për të bërë rrugën’. Na tha ‘bllokoni rrugën, bëni greva, bëni ça të doni. Nuk pyesim për ju’. Ata të gënjejnë tërë ditën. Vinë marrin votat dhe pastaj ikin. Nuk na dhanë shpresë, na thanë ‘s’kemi fonde!”, rrëfeu ai.