Deputeti i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas përfundimit të hetimeve nga ana e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit katër ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit.
Basha shprehet se sot çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot si Rama ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave.
Ai ka publikuar deklaratën e drejtorit të policisë së shtetit në atë kohë Ardi Veliu i cili mbronte teorinë se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk ishin konstatuar sende të kundraligjshme.
Ajo që bie në sy është se Basha nuk thotë asgjë për Gazment Bardhin, që është akuzuar si një nga strumbullarët e ngjarjes tragjike.
Para pak ditësh, ABC raportonte se Gazment Bardhi do thirret nga prokuroria për këtë ngjarje. Sipas këtij televizioni, ka dyshime se nga selia e Bardhit është dhënë urdhër për të qëlluar ndaj Pjerin Xhuvanit.
“Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën. Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima”, shkruan Basha.