Aksidentoi për vdekje 20-vjeçarin në Elbasan, Konsulli i Nderit u arratis në Bullgari për të humbur gjurmët, por përgjimet e ‘fundosin’

27 January 2023, 14:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aksidentoi për vdekje 20-vjeçarin në Elbasan, Konsulli i Nderit
Foto ilustruese

Aristir Dimo, 65-vjeç është vënë në pranga ditën e djeshme pasi akuzohet se ka aksidentuar për vdekje, me automjetin e tij, një 20-vjeçar pak ditë më parë në Unazën e qytetit të Elbasanit.

Panorama TV raporton se Dimo është konsull nderi i Bullgarisë në vendin tonë.

Burimet bëjnë me dije se pasi e ka aksidentuar 20-vjeçarin, drejtuesi i automjetit ka përshkuar rrugën ku ishte nisur në një distancë të caktuar. Më pas ai është kthyer sërish në drejtim të Tiranës ku dyshohet se ka bërë disa veprime për të humbur gjurmët nga ngjarja e rëndë.

Dimo ka lënë kryeqytetin dhe ka vijuar sërish itinerarin nga Elbasani në drejtim të Qafë Thanës ku ka kaluar kufirin. Ai ka qëndruar për disa ditë në Bullgari për t’u rikthyer sërish ditën e djeshme.

Mësohet se në momentin kur ka kaluar pikën kufitare, ai është në vënë në prangat e policisë. Ai  është zbuluar nga prokuroria e Elbasanit pas përgjimeve të kryera në tre ditët e fundit, duke bërë që autoritetet hetimore të arrijnë në përfundimin se ka qenë ai shkaktari i aksidentit të ndodhur në Elbasan.

Sipas Panorama TV, një tjetër provë që e implikon drejtpërdrejtë Dimon në këtë ngjarje është feneri i automjetit të tij i cili është gjetur i thyer në tokë menjëherë pas ngjarjes nga grupi hetimor.

Materialet në lidhje me këtë çështje tashmë i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 


Video