“Edhe seksin ta kisha ndryshuar nuk do kisha paguar kaq shumë lekë…” Kështu u shpreh Monika Kryemadhi mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion.
Përgjigja e saj erdhi pasi gazetari Blendi Fevziu e pyeti se çfarë ndërhyrjesh kishte bërë që kishte shpenzuar 287 mijë euro, siç pretendon në kallëzimin e bërë këtë të enjte avokati Idajet Beqiri.
Kryemadhi tha se Swifti i llogarisë bankare që paraqet avokati i përket një servisi në Romë, ndërsa ajo vetë pohoi se ka shkuar në klinika jashtë, por për të trajtuar probleme kardiake dhe kancerin në qafën e mitrës.
Pjesë nga biseda në Opinion
Kryemadhi: Zoti Fevziu, ju jeni çun Tirone dhe të gjitha gratë e dinë mjaft mirë, që nuk kushton asnjë mirëmbajtje as shëndetësore, as estetike në atë vlerë.
Edhe Kardashian të jesh nuk kushton aq para. A e dini që Swifti që ato kanë përdorur është një servis në Romë dhe jo klinika në San Marino.
Fevziu: Ju nuk qenë në atë klinikë?
Kryemadhi: Unë kam qenë në klinikë…
Fevziu: Në datën që flitet?
Kryemadhi: Absolutisht! Është përdorur swifti i një servisi në Romë. Sëifti i klinikës ku unë kurohem për probleme kardiologjike dhe kancerin e qafës së mitrës është një swift tjetër.
Kallëzimi i dorëzuar në SPAK nga avokati Idajet Beqiri ka në fokus trajtimet estetike që familja e ish-Presidentit, tashmë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kryer në spitale në San Marino dhe Vjenë.
Avokati pretendon se në bazë të disa verifikimeve të kryera, ai ka siguruar të dhëna që tregojnë se Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre kanë kryer ndërhyrje estetike dhe pagesat kanë qenë të larta.
Beqiri ka dorëzuar në SPAK një faturë spitali me vlerë mbi 287 mijë Euro për të cilën thotë se është pagesa për një ndërhyrje të kryer nga Monika Kryemadhi dhe transferta është bërë nga një llogari offshore në Qipro.