Vrasja e Arlinda Zekajt, pezullohen nga detyra 11 zyrtarë në Policinë e Kosovës!

29 October 2026, 15:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrasja e Arlinda Zekajt, pezullohen nga detyra 11 zyrtarë në
Arlinda Zekaj

Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Më herët, Këshilli Prokurorial i Kosovës pezulloi nga detyra edhe kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pezullimet janë kryer pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve ka nisur një hetim paraprak për veprimet ose mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.

Mes zyrtarëve të pezulluar janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor të Pejës, si dhe drejtues të tjerë të strukturave policore. Masat përfshijnë gjithashtu katër hetues policorë të këtij stacioni.

Policia e Kosovës bëri të ditur se pezullimet janë ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale në trajtimin e rastit.

Ndërkohë, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pezulluar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, në kuadër të zhvillimeve që lidhen me rastin.

Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse ka pasur shkelje apo mangësi institucionale në trajtimin e çështjes.


Video