
Zgjedhjet në Izrael dolën ashtu siç ishte parashikuar. Asnjë nga dy blloqet kryesore politike nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, ndërsa partitë e pakicës arabe po kthehen në faktor vendimtar.
Kryeministri Netanyahu duket se do të mbetet në detyrë, pasi siguroi mbështetje më të madhe nga votuesit hebrenj sesa pritej. Megjithatë blloku i tij i partive të djathta, ekstremit të djathtë dhe ultraortodokse humbi shumicën parlamentare.
Me gati 86 për qind të votave të numëruara, koalicioni i Netanyahut siguron deri me tani 53 nga 120 vende në parlament. Ndërsa blloku opozitar, i udhëhequr nga Gadi Eisenkot, pritet të marrë 48 vende, duke mos arritur rezultatet që parashikonin sondazhet.
Partitë që përfaqësojnë arabët izraelitë parashikohet të fitojnë një numër rekord prej 19 mandatesh. Kjo i bën ato vendimtare për formimin e qeverisë, pasi opozita e Eisenkotit nuk ka një rrugë të qartë drejt pushtetit, pa mbështetjen e tyre. Por shumë politikanë hebrenj kundërshtojnë një bashkëpunim të tillë.
Ndërkohë, partia Likud e Netanyahut pretendon se zgjedhjet janë vjedhur nga partitë arabe dhe kërkon hetim për manipulime të dyshuara gjatë procesit zgjedhor.
Gjithsesi numërimi i votave vijon dhe rezultatet mund të ndryshojnë. Netanyahu do të qëndrojë kryeministër në detyrë gjatë negociatave për koalicionin dhe mund të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme, që mund të mbahen vitin tjetër.
Edhe pse qeveria në detyrë ka disa kufizime, ajo ruan kompetencat për të marrë vendime, përfshirë ato që lidhen me luftën me Iranin.