
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka bërë të ditur se është informuar nga presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, për synimin e saj për t’u larguar nga detyra më 7 shkurt 2027.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Costa shprehu respekt për vendimin e Lagarde dhe e falënderoi për punën e saj në krye të BQE-së që prej nëntorit 2019.
Ai vlerësoi drejtimin e institucionit gjatë periudhave të pasigurta për Evropën, duke përmendur pandeminë globale, luftën në kontinent, krizat energjetike dhe goditjet inflacioniste.
Sipas Costës, Lagarde ka udhëhequr BQE-në me përgjegjësi dhe përkushtim, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së eurozonës.
Nis procesi për zgjedhjen e pasuesit
Costa njoftoi gjithashtu se procesi për emërimin e pasuesit të Lagarde do të nisë që sot dhe do të vijojë pa vonesa, me synimin që vendimi të merret në kohën e duhur nga Këshilli Evropian, në përbërjen e tij për eurozonën.
Procedura do të ndiqet në përputhje me nenin 283, paragrafi 2, të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.
Qëllimi, sipas Costës, është të garantohet një tranzicion i rregullt në drejtimin e Bankës Qendrore Evropiane.