
Ndeshja eliminatore mes Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë nga gjyqtari kryesor i takimit pas një parulle të ultrasve rumunë ku shkruhej “Kosova është Serbi” dhe thirrjeve nacionaliste të tifozëve vendas.
Pas shumë minutash, ndeshja ka rinisur, ndërsa gjyqtari shpjegoi se ndeshja mund të ndërpritet përfundimisht nëse përsëriten kore të tilla.
Banerat politikë apo thirrjet nacionaliste janë kategorikisht të ndaluara nga UEFA dhe për këtë arsye arbitri nuk është menduar dy herë dhe ka detyruar të dyja ekipet që të futen në dhomat e zhveshjes deri në marrjen e një vendimi të dytë.
Rumania është një nga 5 vendet e Bashkimit Europian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Sa i përket këtij grupi, kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme dhe mund të përcaktojë shumë për vazhdimësinë e dy skuadrave.