
Kohët ndryshojnë në mënyrë të pashmangshme, me shpejtësinë e dritës dhe pa asnjë “armëpushim”. Megjithatë, historia mbetet e shkruar, edhe kujtimet e një periudhe të mrekullueshme, bashkë me të. Largimi i Neymar nga PSG drejt Arabisë Saudite ka qenë mbyllja e një skene të paharrueshme për ata që ishin lojtarët më të mirë të planetit në atë kohë.
Mbretërit e botës – Bale, Benzema, Cristiano Ronaldo. Messi, Suarez, Neymar, apo e njëjta gjë, BBC dhe MSN, arritën kulmin e tyre te Barça dhe Real Madridi. Midis viteve 2013 dhe 2018, këto dy tridentë terrorizuan Europën pa mëshirë. Të ndryshëm në shumë mënyra, por të bashkuar nga një uri e pangopur për gola, të aftë për të shkatërruar gjithçka.
Ata që deri vonë ishin mbretër, tani bëjnë një hap anash. Një mundësi për ata që janë të destinuar të shënjojnë të ardhmen e futbollit. Një përrallë legjendare e dy qendërsulmuesve, dy anësorëve dhe dy gjenive absolutë. Diçka për t’u mbajtur mend përjetë.
Kronologjia e një eksodi – 30 dhjetor 2022, është pika fillestare e kësaj tërheqjeje të madhe të artë. Cristiano Ronaldo nënshkroi për Al-Nassr dhe la pas kontinentin e vjetër, pas më shumë se 20 sezonesh në elitë, pikërisht në moshën 38-vjeçare.
31 dhjetor 2022, Luis Suarez nënshkroi për Gremio, Brazil. Pasi kishte luajtur në Holandë, Angli dhe Spanjë, pasi kishte fituar gjithçka, ai i tha lamtumirë Europës mbas 15 sezonesh. Ai është 36 vjeç. Më 9 janar 2023, Gareth Bale vendosi “t’i varte këpucët në gozhdë”, në moshën 34-vjeçare. Uellsiani përmbushi të gjitha ëndrrat e tij, të paktën në futboll.
6 qershor 2023, Karim Benzema i thotë lamtumirë Real Madridit, pasi fitoi pesë herë Ligën e Kampionëve dhe “Topin e Artë”. Në moshën 35-vjeçare kaloi në Arabinë Saudite. Destinacioni i tij, konkretisht Al-Ittihad.
7 qershor 2023, gjeniu nga Rosario firmosi për skuadrën e David Beckham. Kampioni aktual botëror dhe me një nga “palmaresat” më të kompletuar në historinë e këtij sporti u transferua në MLS. Tani, Inter Miami do të mund ta shijojë atë, në moshën 36-vjeçare.
15 gusht 2023, fundi i kësaj historie në kontinent, për të nisur një tjetër në toka më të panjohura. Neymar largohet nga qyteti i dritës dhe i dashurisë për t’iu bashkuar qytetit të naftës. Al-Hilal është ekipi i tij i ri, në moshën 31-vjeçare.
BBC në shifra – Bale, Benzema dhe Cristiano Ronaldo ishin së bashku për pesë sezone. Gjithçka filloi me ardhjen e uellsianit në verën e vitit 2013 dhe përfundoi me nënshkrimin e portugezit nga Juventusi në Torino. Finalja e Ligës së Kampionëve 2018 ishte ndeshja e fundit që luajtën të tre. I fundit nga 13 titujt që fituan.
Një treshe e fuqishme, e shpejtë, “makinë vrasëse” kundër cilitdo. Bale dhe Benzema dhanë shpejtësi, forcë dhe cilësi. Ronaldo thjesht i kishte të gjitha. Ai kontribuoi me 56% të golave (249) që të tre së bashku llogaritin (442).
Së bashku, ata arritën tre Champions League radhazi me Zidane në drejtim. Ata gjithashtu dhanë 191 asiste nga 2013-2014 deri në 2017-2018. Edhe pse Gareth Bale ishte më i parregullti (më shumë se 28 lëndime gjatë qëndrimit në Madrid), vendosmëria e tij në momente të rëndësishme nuk do të harrohet kurrë.
MSN në numra – Të quajtur edhe "Tre tenorët e Barçës" për shkak të aleancës së tyre të suksesshme, ata ishin tridenti sulmues më i mirë në Europë gjatë tri sezoneve në të cilat përkonin. Luis Enrique ishte dirigjenti i përsosur për ta. Ata shënuan gola të të gjitha ngjyrave.
Futbollistë unikë, që merreshin vesh për bukuri brenda dhe jashtë fushës, sikur të kishin dalë nga i njëjti bark. Barça nuk shkoi nën 160 gola në sezon falë kimisë së tyre të shkëlqyer. 9 tituj në tri sezone, duke përfshirë tripletën e vitit 2015.
364 gola dhe 211 asiste i dhanë ekipit katalanas nga 2014-2015 deri në 2016-2017. Lidhja e madhe e tridentit në fjalë pasqyrohet edhe në 124 asistet mes tyre. Madje shpërndanë edhe penalltitë.
Trashëgimia e "tridentëve" – I madhi Johan Cruyff tha në atë kohë se "dy gjela nuk mund të jenë në të njëjtin kotec". Neymar sapo kishte zbritur në Barcelonë në vitin 2013. Jo vetëm dy, por tre “gjela” pati Barcelona, një nga skuadrat më të mira në botë. BBC dhe MSN treguan se gjashtë yje mund të punojnë së bashku dhe gjithashtu të kenë sukses në aleancë. Sigurisht që nuk ndodhi për mungesë egoje, as cilësie.