Tradhtia që nuk po përtypet, 30 mijë bilbila kundër Lukakut në ‘San Siro’

27 October 2023, 17:32Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tradhtia që nuk po përtypet, 30 mijë bilbila kundër Lukakut
Lukaku

Ndeshja duket se po kalon në plan të dytë, të paktën deri në vërshëllimën përfundimtare të saj. Ndoshta edhe pas. Inter-Roma është sfida mes kryesuesve dhe kryeqytetasve që duan të ngjiten në renditje, por është edhe ndeshja e rikthimit të Lukakut në ‘San Siro’.

Dhe kjo errëson gjithçka tjetër, edhe tribunën e Mourinjos të skualifikuar, një tjetër ‘ish’. Portugezi ka dashur ta minimizojë çështjen e ‘Big Rom’, ashtu si dhe Tiago Pinto. Nga ana e interistëve ajo që ishte për të thënë është thënë javët e fundit: klubi dhe ish-shokët e quajnë kapitull të mbyllur.

Ndryshe është çështja me tifozët. Është e paevitueshme. ‘San Siro’ e pret Lukakun me 30 mijë bilbila, sepse tifozët ndihen të tradhëtuar. Nuk ka të bëjë Roma, për tifozët e Interit tradhtia nuk lidhet me ngjyrat e Romës. Është një çështje personale, një çështje private.

Kështu ‘San Siro’ po përgatitet të vërshëllejë çdo prekje topi nga ana e belgut, ngjashëm me Ronaldon në 2007-ën, kur ai doli në këtë stadium me fanellën e Milanit. Pra, çdo prekje, çdo pasim dhe çdo gjuajtje e Lukakut do të shoqërohet nga një tingull bezdisës.

Nuk ndalohet nga asnjë nen i rregullores, por patjetër do të jetë diçka shqetësuese edhe për faktin se do të krijojë konfuzion me vërshëllimat e arbitrit. Nuk do të mungojnë apelet për qetësi, por me siguri nuk do të dëgjohen.

Java e 10 e serisë A rikthehet sonte në mbrëmje me duelin e  parë Xhenoa-Salernitana. Të shtunën do të jetë radha e 3 sfidave të tjera ku spikat Juventus–Verona, ndërsa të dielën vëmendja e gjitha do të jetë tek Inter-Roma në 18:00 dhe Napoli-Milan në 20:45.


Video