Spanja ka prezantuar në mënyrë spektakolare listën me 26 futbollistë që trajneri Luis De La Fuente do të grumbullojë për kampionatin Botëror.
Në videon e publikuar nga federata ku ishte pjesë edhe mbreti Felipe VI, emrat e lojtarëve u cituan nga punëtorë të thjeshtë spanjollë si për të treguar se Kombëtarja është e të gjithëve.
Lista dominohet nga futbollistët e Barcelonës, e cila ka 8 lojtarë, ndërsa lajm është fakti që në këtë Botëror, Reali i Madridit nuk ka përfaqësues në kombëtare.
Mbrojtësi Hujsen ka mbetur jashtë dhe risia e madhe ishte ftesa për Erik Garsian.
Trajneri De La Fuente ka grumbulluar edhe tre lojtarët e dëmtuar Merino, Niko Uilliams dhe Lamin Jamal, pavarësisht se mund të humbasin ndeshjen e parë.
Spanja ka publikuar edhe një Listë B me lojtarë të rinj që do të stërviten deri në ndeshjen miqësore me Irakun.
Kampionët e Europës janë pjesë e grupit H të Botërorit bashkë me Kepin e Gjelbër, Arabinë Saudite dhe Uruguain.