Sezoni i çuditshëm për Muriqin: Shënoi 23 gola, por ekipi i tij ra nga La Liga

24 Maj 2026, 18:14Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi ka zhvilluar sezonin më të mirë të karrierës, por kjo nuk mjaftoi që Mallorca të siguronte mbijetesën në La Liga. Sulmuesi kosovar realizoi 23 gola, mbi 51 për qind të totalit të golave të ekipit, duke u bërë lojtari me peshën më të madhe në sulm mes pesë ligave kryesore evropiane.

Me këtë statistikë, Muriqi hyri në një listë shumë të rrallë të futbollistëve që shënojnë mbi 20 gola, por nuk arrijnë ta shpëtojnë ekipin nga rënia. Para tij, këtë fat e kishin përjetuar vetëm Quini, Morena dhe Jimmy Floyd Hasselbaink me Atletico Madridin në sezonin 1999-2000.

Pavarësisht formës së jashtëzakonshme dhe efikasitetit të lartë para portës, Mallorca nuk arriti t’i kthente golat e tij në pikë të mjaftueshme për mbijetesë.

Një tjetër zhgënjim për kapitenin e Kosovës, pasi më herët ai humbi edhe mundësinë për kualifikim në Kupën e Botës me përfaqësuesen kosovare.

Megjithatë, sezoni i tij mbetet ndër më të mirët për një futbollist kosovar në elitën e futbollit evropian dhe e ardhmja mund t’i rezervojë një kalim në një ekip shumë herë më të njohur.

 


Video