Nga Gazzetta dello Sport/ Gigi Riva, i cili nuk i ka falur kurrë asgjë askujt, një herë tha: “Cagliari i Maran është shumë i bukur. Të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë”. Komplimente më të sinqerta vështirë të gjenden. Kanë kaluar 6 vite dhe Maran ka vendosur çfarë të bëjë me jetën e tij; ka shkuar të drejtojë Shqipërinë. Në moshën 62-vjeçare, për herë të parë do të jetojë jashtë Italisë, për herë të parë do të drejtojë një kombëtare, për herë të parë do të ketë një objektiv që nuk quhet mbijetesë apo ngjitje, por Botëror. Tingëllon ndryshe…
Maran është një “anti-personazh”, por jeta e tij fshihet në një detaj; shumë i dashur në vendet ku ka qenë. Kjo vlen për Catania, të cilën e çoi në rekordin e pikëve në Serie A: 56 më 2012-2013, e teta, përpara Interit. Ka spikatur edhe me Chievo: katër vite, katër mbijetesa, duke luajtur edhe me dy sulmues, plus Birsa dhe Castro. Vlen të përmendet Brescia, ndalesa e tij e fundit, me mbijetesën të arritur pavarësisht vështirësive të mëdha.
Pse vendose ta ndryshosh jetën në moshën 62-vjeçare?
Sepse kur Shqipëria më thirri, ndaj u emocionova. Menjëherë ndjeva se është një komb me krenari dhe ndjenjë përkatësie të jashtëzakonshme.
Po tani, ku do të jetosh? Në Tiranë apo në Itali?
Në Tiranë, për mua kjo eksperiencë duhet jetuar kështu. Të dielën do të shpërngulem dhe do të nis punën e vërtetë. Edhe qyteti është shumë i bukur, me mikpritje të jashtëzakonshme. Gruaja ime, që është dizajnere e brendshme, do të vijë e të shkojë. Jemi mësuar.
Gianni De Biasi, që e çoi Shqipërinë në Europianin 2016, natën e parë në Tiranë fjeti me një karrige pas derës nga frika e surprizave të këqija. Paragjykime të kohëve të tjera… A jeni takuar?
Sigurisht, Gianni është mik imi, është personi i parë që kam telefonuar. E mbaj mend mirë atë aventurë të tij, bëja tifo për të. Më tha të mos kisha dyshime, se po bëja zgjedhjen e duhur. Ai mendon se Shqipëria ka bërë zgjedhjen e duhur duke më marrë mua si trajner. Kjo më bëri të ndihesha shumë mirë. Çuditërisht, kam folur edhe me Igli Taren 20 ditë më parë në Milanello. Nuk mund ta imagjinoja që do të drejtoja kombëtaren e tij.
Cilat janë emocionet e këtyre ditëve të para?
Fanella e Shqipërisë me emrin tim dhe numrin 28, si Europiani që duam të luajmë. Më ka dhënë ndjesi përgjegjësie dhe gëzimi.
Si shkohet nga Trento në Tiranë pas 27 vitesh punë?
Vij nga një familje artizanësh, njerëz që kanë punuar gjithmonë. Babai dhe vëllezërit e mi ishin në ndërtim, lyerje dhe veshje muresh. Unë jam i njëjtë, nuk kërkoj skenën dhe më pëlqen të punoj.
Eksperienca juaj e parë në pankinë ishte më 1997-98, si ndihmës i Silvio Baldinit te Chievo. Tani njëri drejton Italinë, tjetri Shqipërinë… Sa i çmendur është Baldini nga 1 në 10?
Jo aq shumë, më besoni. Ka karakter të fortë, por e di gjithmonë çfarë bën. I jam gjithmonë mirënjohës, më kishte premtuar se do të më çonte në Serie B dhe një orë pas seancës më telefonoi. Në 10 sekonda lashë futbollin dhe i thashë po.
Momenti juaj më i vështirë dhe më i bukur si trajner?
Më i vështiri te Genoa, kur kishim 22 lojtarë me Covid. Pasiguri totale. Më i bukuri? Debutimi në Serie A, Roma-Catania 2-2 në gusht 2012. Po fitonim duke luajtur mirë, na barazuan në minutën e 91-të dhe në shtesë goditëm traversën me Castro. Provë që kishim shkuar atje për të fituar, jo për një pikë.
Çfarë keni mësuar në 10 vitet e fundit?
Jam bërë më tolerant. Më parë kisha më pak durim, zemërohesha shumë kur gjërat nuk shkonin si doja. Kam mësuar të pranoj një mënyrë tjetër të jetuarit të futbollit.
Shembulli?
Pitu Barrientos te Catania. Dukej i paangazhuar, por tani e kuptoj që më ka dhënë gjithçka. Më mire të them, gjithçka që kishte.
Lojtari më i fortë që keni stërvitur, a është Papu Gómez?
E vështirë të përgjigjem. Papu, Barella, Srna, Nainggolan, Almirón, Pandev në fund të karrierës…
Si është të stërvitësh Nainggolan?
Spektakël. Jashtë fushës është i zhurmshëm, por në fushë ishte kënaqësi të punoje me të. Të bënte krenar.
Çfarë objektivi do t’ju bënte krenar me Shqipërinë?
Të kthehemi në Ligën B të ‘Nations League’ dhe të kualifikohemi në Europianin 2028. Ëndërroj rezultate të mëdha dhe të shkruajmë histori. Falënderoj presidentin Duka, stadiumi i Tiranës më la pa fjalë. Dua të shkoj të shoh sa më shumë stërvitje atje dhe të mësoj shqip. Dua një futboll proaktiv, vertikal, luftarak. Të arrijmë rezultate me djersë është në ADN-në e kësaj kombëtareje.
Kombëtarja juaj e preferuar e të gjitha kohërave?
Italia e vitit 1982. Isha 19 vjeç dhe doja të bëhesha futbollist. Pastaj Holanda e Cruijff; futbolli i tillë i avancuar dukej si ëndërr.
Lojtarët e preferuar sot?
Ata më teknikët; Pedri, Olise, Mbappé.
Po fraza e Gigi Riva për Cagliarin tuaj?
E kush e harron? Riva ishte burrë me ‘B’ të madhe dhe kampion. Do të jem krenar për ato komplimente përgjithmonë.