Arsenali fiton pas 22 vitesh titullin kampion, nis festa në Londër

19 Maj 2026, 23:13Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Festa e lojtareve te Arsenal

Arsenali është shpallur zyrtarisht kampion i Anglisë për sezonin 2025/2026, pasi Manchester City barazoi 1-1 në transfertë ndaj Bournemouth-it.

Ky rezultat krijon një distancë prej katër pikësh mes dy skuadrave kryesuese përpara javës së fundit të kampionatit.

Për “Topçinjtë” ky është titulli i 14-të në histori dhe që mungonte që prej 2004-ës.

Me këtë barazimin ndaj City-t, Bournemouth-i i Andoni Iraolës siguron pjesëmarrjen në kupat e Europës, ndërsa Arsenali i Mikel Artetës i jep fund një pritjeje 22-vjeçare për trofeun e ligës angleze.

Arsenali do të ngrejë trofeun e titullit në Selhurst Park të dielën në përfundim të kampionatit, por skuadra e Mikel Artetës do të duhet të presë për të bërë festën e madhe të titullit pasi tani ka edhe finalen e Ligës së Kampioneve ndaj PSG, edhe kjo një arritje historike për Topçinjtë që kthehen në një event të tillë pas 20 vitesh.

Londinezët do të kërkojnë me çdo kusht trofeun, për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkohë, tifozët e Arsenalit kanë nisur festën në rrugët e Londrës.

 


Video