Ky sezon i ri futbollistik do të ketë shumë risi sa iu përket formateve të kompeticioneve kombëtare në vend. Përveç ndryshimeve në skemën e kampionatit të Superiores dhe Kategorisë së Parë, edhe Kupa e Shqipërisë do të vijë me një tjetër strukturë në edicionin 2023-2024, sipas vendimit të marrë nga Komitetit Ekzekutiv i FSHF-së.
Ndryshe nga sezoni i kaluar, duke nisur nga ky edicion, në këtë kompeticion do të marrin pjesë 44 skuadra, pra 10 më shumë se sezonin e kaluar, nga kampionatet e Superiores, Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë dhe ekipi kampion i Kategorisë së Tretë, të sezonit 2022-2023.
Kupa e Shqipërisë 2023-2024 do të jetë e përbërë nga faza para-eliminatore dhe faza eliminatore. Ekipet e renditura nga vendi i parë e deri në vendin e tetë në Superiore për sezonin 2022-2023 do të garojnë duke filluar nga 1/8 finale (raundi i 3-të).
Në turin para-eleminator marrin pjesë ekipet e renditura në vendin e 7, 8, 9 të Kategorisë së Dytë, Grupi A i sezonit 2022-2023 si dhe vendet e 7, 8, 9, 10 të Kategorisë së Dytë, Grupi B i sezonit 2022-2023, shto ekipin kampion të Kategorisë së Tretë, sezoni 2022-2023. Ndeshjet do të jenë teke në këtë tur, në fushën e ekipit me renditje më të mirë të sezonit.
Në raundin e parë (1/32) do të marrin pjesë 2 ekipet e renditura në vendin e 9-të dhe të 10-të të Superiores në sezonin 2022-2023 si dhe 14 ekipet pjesëmarrëse në kampionatin e Kategorisë së Parë, në sezonin 2022-2023, shto 12 ekipet e renditura në gjashtë vendet e para të Kategorisë së Dytë të grupeve A dhe B në sezonin 2022-2023 dhe katër ekipet e kualifikuara nga turi para-eleminator. Vetëm ndeshjet e turit çerekfinal (1/4) dhe gjysmëfinal (1/2) do të luhen me 2 takime, vajtje-kthim.