
FIFA po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në rregullat e gjuajtjeve të penalltive në fazën eliminatore të Kupës së Botës, e cila për herë të parë në histori do të nisë me raundin e 1/32-ave. Sipas gazetës britanike “The Times”, institucioni më i lartë i futbollit ka nisur bisedimet me Bordin Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit (IFAB) për të bërë procedurën e penalltive më të drejtë.
Diskutimet vijnë pas shqetësimeve të FIFA-s se skuadra që ekzekuton e para penalltitë ka një avantazh të konsiderueshëm. Një studim akademik i vitit 2023, i paraqitur gjatë këtyre bisedimeve, tregoi se ekipi që gjuan i pari ka rreth 22% më shumë mundësi për të fituar serinë e penalltive.
Aktualisht, rregullat parashikojnë dy hedhje monedhash nga arbitri në qendër të fushës. E para përcakton se në cilën anë të stadiumit do të zhvillohet seria e penalltive, ndërsa e dyta vendos se cila skuadër do të ketë të drejtën të zgjedhë nëse do të gjuajë e para apo e dyta.
Sipas FIFA-s, ky sistem mund të krijojë një pabarazi të panevojshme, pasi një skuadër mund të fitojë ose të humbasë të dyja zgjedhjet. Një shembull i tillë është përmendur edhe nga situata të mëparshme në futbollin elitar, ku një ekip mund të përfitojë një avantazh të dyfishtë.
Propozimi i ri i FIFA-s parashikon që të ketë vetëm një hedhje monedhe. Kapiteni i skuadrës që fiton do të ketë vetëm një zgjedhje, ose të përcaktojë anën e portës ku do të zhvillohen penalltitë, ose të zgjedhë që ekipi i tij të jetë i pari që do të ekzekutojë goditjet.
Pasi të merret vendimi, skuadra tjetër do të përfitojë automatikisht nga opsioni i mbetur. Megjithatë, çdo ndryshim duhet të miratohet nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit, i vetmi organ që ka autoritetin për të ndryshuar rregullat zyrtare të futbollit. Një vendim përfundimtar pritet të merret përpara fillimit të fazës eliminatore, e planifikuar të nis pas datës 28 qershor.