
Trajneri i përkohshëm i Manchester United, Ralf Rangnick e përshkroi humbjen e rëndë të skuadrës së tij në Premier League nga Liverpool si "poshtëruese".
Liverpool fitoi 4-0 të martën, duke marrë kreun e Premier League.
United, i cili humbi shansin për të kaluar në nivel me Tottenhamin e vendit të katërt në garën për një vend në Champions League, ra në vendin e gjashtë.
"Është e turpshme, është zhgënjyese, ndoshta edhe poshtëruese. Sidomos në pjesën e parë, ne thjesht nuk ishim në fushë”, tha Rangnick për Sky Sports.
Trajneri gjerman e pranoi se Liverpool dominoi në të gjitha repartet e fushës.
"Ata sapo na treguan se çfarë lloj kalibri janë. Ne nuk jemi gati. Ne nuk jemi mjaftueshëm të mirë për të marrë pikë në një lojë kundër Liverpool”, vijoi ai.
I pyetur se si United mund të mbyllë diferencën me Liverpool-in, ai shtoi: “Duhet të pranojmë se ata janë gjashtë vjet përpara nesh tani.
“Kur erdhi Jurgen Klopp, ata ndryshuan në klub dhe ngritën jo vetëm ekipin, por klubin dhe qytetin në një nivel të ri. Kjo është ajo që duhet të ndodhë me ne në merkaton e ardhshme”, vijoi ai.