Polemikat pas barazimit 1-1 mes Interit dhe Atalantës nuk janë shuar. Pakënaqësitë e zikaltërve janë të mëdha ndaj gjykimit.
Nëse për golin e barazimit të Krstoviç shumica e ekspertëve i japin të drejtë arbitrit Manganiello, duke e konsideruar shtyrjen e Sulemanës ndaj Dumfries si të lehtë, qëndrimi ndryshon për rastin Scalvini-Frattesi.
Sipas raportimeve nga Italia, vetë drejtuesit e Shoqatës së Arbitrave Italianë, të pranishëm në stadium, kanë pranuar se kontakti duhej sanksionuar me penallti.
Ky vendim ka rritur dozat e hidhërimit te zikaltrit, të cilët kujtojnë dy precedentë të ngjashëm ku janë ndëshkuar pikërisht për kontakte të tilla: ai i Dumfries ndaj Alex Sandro në vitin 2021 dhe i Darmian ndaj Magnanit në vitin 2024.
Një tjetër pikë kritike mbetet përzgjedhja e Matteo Gariglio-s në dhomën e VAR-it. Gariglio, i cili ishte larguar nga fusha në vitin 2023 pas vetëm 19 ndeshjeve në Serie A për t’u promovuar si specialist VAR, është vënë në shënjestër për mosthirrjen e arbitrit kryesor në monitor.
Ky gabim vjen në një moment kritik, duke e bërë garën për titullin kampion me Milanin akoma më të ethshme.