Me formatin e ri, ka ndryshuar edhe kalendari dhe ditët e zhvillimit të Champions. Ndryshe nga sa ishim mësuar deri më tani, pas të martës dhe të mërkurës, ndeshjet e eventit më të rëndësishëm kontinental do të luhen edhe të enjten. Sfida më e rëndësishme është ajo ndërmjet Atalanta-s dhe Arsenalit. Bluzitë janë fitues në fuqi të Europa League, teksa topçinjtë një prej skuadrave më të forta të këtij edicioni.
“Luajmë prej vitesh në Europë, kjo eksperiencë na ka ndihmuar pasi në Champions kemi kaluar edhe grupet e vështira. Ecuria e vitit të kaluar ishte fantastike, por tani niveli i kundërshtarëve është më i lartë. Arsenali është një ekip i fort dhe i organizuar. Nuk ka favoritë, do të flasë fusha. Si zakonisht, luajmë vetëm për fitore”, tha Gian Pierogasperini, trajner i Atalantës.
“E admiroj Atalantën dhe Gasperinin, sepse kanë krijuar një skuadër të bukur për t’u parë. Vitin e kaluar realizuan diçka të jashtëzakonshme. Nuk do ta kemi të lehtë, na kanë dhënë disa informacione rreth lojtarëve të tyre. Nga ne kërkohet vazhdimësi, e kemi të qartë që është një turne tejet i vështirë”, tha Mikel Arteta, trajner i Arsenal.
Barcelona e Hansi Flick, një prej ekipeve më të mira të këtij sezoni, do të jetë e angazhuar në transfertën me Monako. Objektivi i katalanasve është i qartë.
“Mund ta fitojmë Champions-in. Klubet e mëdha si Barça synojnë gjithmonë trofetë dhe ky është turneu më i rëndësishëm në glob. Jemi gati të luajmë kundër skuadrave më të mira. Nuk shoh të kaluarën, përqendrohem tek e tashmja. Kemi besim dhe jemi maksimalisht të përqendruar”, u shpreh Hansi Flick, trajner i Barcelonës.
Në ndeshjet e tjera të ditës së parë, Atletico Madrid luan kundër Leipzig, ndërsa Feyenoord sfidon Bayer Leverkusen. Benfica është e angazhuar në trasfertën me Cervena Zvezda dhe Brest ndeshet me Sturm Graz./a2