Lëkunden pozitat e Fonseca te Milan, Ibra takon ish-trajnerin e Dortmund

18 Shtator 2024, 17:31Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Paulo Fonseca

Re të zeza në horizont mbi stolin e Milanit dhe teknikut Paulo Fonseca. Me vetëm një fitore në pesë ndeshjet e para zyrtare të sezonit, pozitat e portugezit tani janë të lëkundshme.

Në furtunën e bilbilave, protestave dhe kritikave në të cilën Milani ndodhet pak ditë para derbit ndaj Interit, e ardhmja e trajnerit portugez është më shumë se në ekuilibër dhe pikërisht ndeshja me “kushërinjtë” zikaltër duket si afat vendimtar për arritjen e kthesës.

Pas golave fotokopje të pësuar ndaj Torinos, Parmës dhe Lazios, rezultati 4-0 ndaj Venecias, duket se solli pak qetësi në mjedisin e Milanit, por tifozët nuk mundën të përtypnin turpin e humbjes 1-3 ndaj Liverpool në debutimin në Ligën e re të Kampionëve.

Kutia e Pandorës është hapur mbrëmjen e djeshme në “San Siro” pasi Milani dukej i pambrojtur përballë anglezëve dhe mbi të gjitha pa ide loje dhe aspak fantazi.

Pakënaqësia po përhapet nëpër korridoret e Milanello-s dhe tashmë është bërë publike një listë me emrat që mund të zëvendësojnë Fonseca-n në rast kolapsi në derbi.

Një nga profilet e preferuara të Zlatan Ibrahimovic është Igor Tudor i cili u largua keq nga Lazio në fund të sezonit të kaluar. Sipas asaj që raportohet nga MilanNews.it, megjithatë, ish-sulmuesi kuqezi ka pasur një bisedë trajnerin finalist të Champions League, Edin Terziç.

Ish-tekniku i Dortumnd është një agjent i lirë dhe nuk përjashtohet mundësia që gjermani të jetë zgjedhja e parë në rast të një tronditjeje në shtëpinë e “Djallit”.

Video