Nevil Dede: Ndeshja me Poloninë shkon me shtesë, ose me penallti

26 Mars 2026, 19:06Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nevil Dede foli në prag të ndeshjes historike mes Shqipërisë dhe Polonisë, e vlefshme për “play off”-in e Botërorit.

Dede u shpreh besimplotë për një rezultat pozitiv, ndërsa bëri dhe një parashikim, duke thënë se Broja ose Muçi mund të vendosin ndeshjen.

Ai zbuloi se gjatë kohës kur drejtonte Shqipërinë e të rinjve, ku bënin pjesë Muçi dhe Broja, ata e mposhtën Poloninë.

Dede deklaroi se të gjithë duhet të mendojnë se Shqipëria kualifikohet në Botëror.

“Silvinjo besoj do e gjejë zgjidhjen e mirë pavarësisht mungesave. Lojtarët sot do na bëjnë krenarë, jo vetëm me performancë, por edhe me rezultat.

Në të tilla nivele, grupi është më i rëndësishëm se individi. Mendoj se grupi ynë është i fortë. Lojtarët më të rinj në moshë, këtu fus Brojën dhe Muçin, janë gati. Lojtarët që mund të bëjnë magjinë sot, mund të jenë Muçi ose Broja. Nuk e di sa minuta do kenë, por ata diçka do të bëjnë. Ndoshta dhe Anis Mehmeti.

Energjia është më e fortë sesa ai stadiumi në Varshavë. Të tregojmë atë që treguam ndaj Serbisë. Ia dolëm, ndonëse nuk kishim tifozë atje.

Besoj se ndeshja do të shkojë drejt barazimit dhe shtesave, ndoshta dhe deri tek penalltitë. Sot luhet diçka më shumë se emri. Është lojë e gjithë kombit.

Nuk e mohon dot Silvinjo, formën e Ernes Muçit dhe Anis Mehmetit. Kemi fat që kemi disa lojtarë që luajnë në Poloni.

Diçka që është interesante. Muçi dhe Broja e kanë mundur Poloninë me brezin e tyre, kur unë kam qenë në drejtimin e moshave. Ndoshta kjo dyshe mund të sjellë të njëjtin rezultat. Nuk më intereson nëse luan Broja apo Muçi, më intereson suksesi i Kombëtares.

Suedia apo Ukraina? Ne jemi në Botëror. Unë nuk e di kush do na dalë më vonë. Di të them se jemi në Botëror. Kështu duhet të mendojë çdo shqiptar dhe djemtë në fushë. Të kalojmë Poloninë dhe më pas mendojmë”, u shpreh Dede.


Video