Dy hapa larg historisë/ Polonia favorizohet nga statistikat, Shqipëria beson te mrekullia

26 Mars 2026, 17:35Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndeshja më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë

Sonte, nën dritat e stadiumit të Varshavës dhe me zemrat e një kombi që rrahin njësoj, Shqipëria dhe Polonia përballen për herë të 16 në histori. Nuk është thjesht një ndeshje, është një betejë që vlen një hap drejt ëndrrës së Botërorit, një mundësi që mund të kthehet në krenari për të gjithë shqiptarët.

Historia mes këtyre dy kombëtareve nis shumë vite më parë. Ishte 6 nëntori i vitit 1949 kur Shqipëria dhe Polonia u ndeshën për herë të parë: përfundoi 2-1 për polakët në një miqësore ndërkombëtare. Që nga ajo ditë, rrugëtimi ka qenë i gjatë, i mbushur me sfida, rritje dhe momente të vështira.

Në 15 përballjet e mëparshme, kombëtarja shqiptare ka arritur 2 fitore dhe 3 barazime, ndërsa 10 ndeshje janë fituar nga Polonia

Por kapitulli i fundit tregon një histori tjetër. Më 10 shtator 2023, Shqipëria triumfoi me një fitore bindëse 2-0 në kualifikueset e Kampionatit Europian, duke treguar karakter, cilësi dhe një vetëbesim të ri.

Diferenca në fushë, siç kanë treguar përballjet e fundit, nuk janë aq të mëdha sa tregojnë numrat, ndaj dhe shpresat janë reale.

Kuqezinjtë kanë shënuar 10 gola në këto 15 ndeshje ndaj Polonisë (kanë pësuar 20) dhe ky është një tjetër tregues shpresëdhënës. Polonia luan përpara publikut të saj, por kjo mund të shndërrohet edhe një formë presioni për polakët, të cilët nisen favoritë në letër. Trajneri Silvinjo dhe skuadra që ai drejton nuk kanë asgjë për të humbur dhe ndoshta edhe me pak fat, mund të befasojnë Levandovskin me shokë në shtëpinë e tyre.


Video