Laura Fazliu i siguron Kosovës medaljen e pestë olimpike

30 Korrik 2024, 21:10Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Xhudistja kosovare Laura Fazliu

Xhudistja kosovare Laura Fazliu e ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Parisi 2024 të martën, në debutimin e saj në lojëra olimpike.

Ajo e mposhti kroaten Katarina Kristo në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Lufta e drejtpërdrejtë për bronz mes Fazliut dhe Kristos ishte shumë e barabartë në kohën e rregullt dhe u nevojit koha shtesë, e njohur si “golden score” për ta përcaktuar fituesen e medaljes së bronztë.

Fazliu, 23 vjeç, fitoi falë ndëshkimit të 22-vjeçares me tri shido, pasi ajo e bëri një gabim në tentim për ta hedhur kosovaren në tatami.

Rrugës drejt medaljes së parë olimpike, Fazliu e kaloi rrethin e parë pa luftë, para se ta mposhte kinezen Jing Pang në përballjen e saj të parë olimpike, duke kaluar në çerekfinale, ku u mposht nga francezja Clarisse Agbegnenou.

Ajo disfatë nënkuptoi se Fazliu e humbi mundësinë për të luftuar për titullin e kampiones olimpike apo për medaljen e argjendtë, por mbeti në garë për bronz.

Në dy luftërat e saj për ta rrëmbyer medaljen e bronztë, ajo i mundi kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard dhe kroaten Kristo.

Kjo është medalja e pestë olimpike në përgjithësi në historinë e sportit kosovar, dhe e dyta nga Parisi 2024, pas medaljes së argjendtë që e fitoi Distria Krasniqi në fundjavë, transmeton Rel.

Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani.

Kosova udhëtoi drejt Parisit me nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

Gjashtë prej tyre i kanë përfunduar garat në sportet e tyre përkatëse tashmë, me Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Donjeta Sadiku që nuk arritën të fitojnë medalje.

Video