Laçi nuk humb kohë, gjen brenda 24 orësh trajnerin e ri

6 April 2022, 13:05Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Laçi nuk humb kohë, gjen brenda 24 orësh trajnerin e ri
Shpëtim Duro

Shpëtim Duro është i zgjedhuri i Laçit për pankinën. Kurbinasit kanë zyrtarizuar akordin me teknikun 62-vjeçar, i cili rikthehet kështu të marrë drejtimin e skuadrës bardhezi.

Duro është bashkuar me skuadrën, duke nisur menjëherë përgatitjet për sfidën e fundjavës ndaj Vllaznisë.

Rezultatet zhgënjyese në 6 javët e fundit detyruan presidencën e Laçit që të ndryshojë padron të pankinës, duke larguar Mirel Josën dhe afruar një ekspert në Superligë si Shpëtim Duro.

Tekniku kryeqytetas pranoi ofertën e Laçit që po garon fort në të dy frontet, përkatësisht në vendin e dytë në Superligë dhe një hap larg finales së Kupës.

Aktualisht, Laçi numëron 14 pikë më pak se Tirana kryesuese dhe është në garë të plotë për të arritur Europës edhe përmes kampionatit.

Duro kthehet kështu te Laçi pas thuajse një viti, pasi edhe sezonin e shkuar mori drejtimin e kurbinasve në mesin e sezonit të kaluar, duke i kualifikuar në Kupat e Europës dhe duke i udhëhequr në dy ture.


Video