Më shumë se antipodet e Guardiolës dhe Simeones nuk ka model tjetër në botën e futbollit. Dy trajnerë me vlera të mëdha, dy fitues, të cilët kanë të përbashkët të kaluarën si mesfushorë dhe lojtarë fitues.
Por në stol ata përfaqësojnë dy filozofi loje që kanë pak ose aspak të përbashkëta. Këtë herë, Pep fitoi 1-0, por është vetëm çerekfinalja e parë e Champions-it. Javën e ardhshme do të luhet ndeshja e kthimit në “Wanda Metropolitano”.
Megjithatë, një sukses i madh, sepse 1-0 ishte i rëndësishëm për Manchester City, edhe pse do të jetë mysafir në shtëpinë e Atletico Madridit pas tetë ditësh. Asnjë gjuajtje në portë në pjesën e parë për City, i cili nuk gjeti kurrë hapësirë kundër një kundërshtari që u mbrojt në mënyrë të mrekullueshme, por me një lloj moduli 5-5-0.
Dy rreshta nga pesë lojtarë në mbrojtje dhe asnjë në sulm. Më pas, në pjesën e dytë erdhi goli, një “blic”, përmes një veprimi të shkëlqyer nga Phil Foden, i cili kishte hyrë në fushë pak sekonda më parë. Ai filtroi një asist për De Bruyne, i cili bëri lëvizjen e duhur dhe shënoi golin e parë të sezonit në Champions League.
Pas ndeshjes, Guardiola, duke folur për ndeshjen dhe vështirësitë që hasi skuadra e tij, u ndal edhe te loja e Atletico Madridit, të cilën e përkufizoi në mënyrë shumë precize dhe të ashpër: “Si në kohët parahistorike, edhe sot, 100 mijë vite më pas, pamë mbrojtje me dy rreshta.
Të luash kundër një kundërshtari që rreshtohet me 5-5-0 është shumë e vështirë. Nuk gjen dot hapësirë, është tejet e vështirë. Është çështje durimi. Në pjesën e parë thashë se ishim mirë, ishim të qetë.
Atletico Madridi mbrojti shumë fort, luajti me dy rreshta nga pesë lojtarë në pjesën e parë dhe me një sulmues në pjesën e dytë. Ata janë mjeshtër në rinisje, nuk duhet ta humbasësh kurrë përqendrimin. Sa keq që në fund, Kevin (De Bruyne) nuk arriti të dyfishonte. Në Madrid do të ishte gjithsesi e vështirë”.