FIFA publikon formacionin ideal të Botërorit 2026

22 Korrik 2026, 20:44Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

FIFA ka zbuluar formacionin më të mirë të Kupës së Botës 2026, duke përfshirë 11 lojtarët që shkëlqyen më shumë gjatë turneut të kësaj vere në Amerikën e Veriut.

Në formacionin ideal dominojnë kampionët e rinj të botës. Spanja, triumfuesja e Botërorit 2026, përfaqësohet me tre futbollistë, po aq sa edhe Franca. Argjentina ka dy emra në këtë formacion, ndërsa nga një lojtar vijnë nga Norvegjia, Anglia dhe Kepi i Gjelbër.

Në portë është vendosur Vozinha, i cili shkroi një nga historitë më të bukura të këtij Botërori. Portieri afrikan fitoi admirimin e botës me paraqitjet e tij, duke ndihmuar skuadrën e tij të përballej denjësisht me Spanjën dhe Argjentinën, pa u mposhtur brenda 90 minutave në këto duele.

Në mbrojtje janë dy kampionët e rinj të botës me Spanjën, Marc Cucurella dhe Pedro Porro, ndërsa në qendër të repartit defensiv janë vendosur Dayot Upamecano i Francës dhe Lisandro Martinez i Argjentinës.

Mungojnë Laporte dhe Cubarsi, me këtë të fundit veçanërisht, që u konsiderua si pika më e fortë e mbrojtjes së Spanjës dhe mbrojtësi më i mirë i Botërorit.

Mesfusha përbëhet nga tre yje të mëdhenj: Jude Bellingham i Anglisë, Rodri i Spanjës dhe Michael Olise i Francës, të cilët lanë gjurmë me paraqitjet e tyre gjatë gjithë kompeticionit.

Në repartin ofensiv gjenden tre nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Në krye të sulmit është Kylian Mbappe, golashënuesi më i mirë i turneut me 10 gola, i cili gjithashtu vendosi rekordin historik si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupave të Botës me 22 gola.

Krahas francezit janë vendosur Lionel Messi dhe Erling Haaland. Kapiteni argjentinas realizoi tetë gola në këtë Botëror, ndërsa sulmuesi norvegjez e mbylli turneun me shtatë finalizime.

FIFA publikon formacionin ideal të Botërorit 2026


Video