F1 ndryshon format, ‘pole positon’ vendoset që të premten

15 February 2022, 17:00Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

F1 ndryshon format, ‘pole positon’ vendoset që të premten

Formula 1 njoftoi ndryshimin e formatit dhe të shpërndarjes së pikëve në këtë sezon. Nga ndryshimet e miratuara nga komiteti drejtues i F1 zgjerohet numri i pilotëve që marrin pikë gjatë sprinteve të së shtunës, ndërsa “pole position” do të përcaktohet në provat e së premtes.

Pra, ato që ishin deri para 2021-t prova jozyrtare shndërrohen në plotësisht zyrtare dhe në garën sprint të së shtunës do të fitojnë pikë 8 pilotët e parë dhe jo më vetëm 3 të parët, siç u eksperimentua sezonin e kaluar.

Renditja e makinave për garën zyrtare të së dielës nga ana tjetër do të përcaktohet përmes provave të së premtes. F1 shpreson që me këtë format të rrisë rivalitetin dhe shtojë spektaklin në pistë, si dhe të shmangë situatat e sikletshme, që u regjistruan në disa gara sezonin e kaluar. Formati i ri do të testohet fillimisht vetëm në tre pista, në Imola, Zeltveg dhe San Paolo dhe në bazë të suksesit e vlerësimit që do të marrë do të shtrihet më pas në të gjitha garat e kampionatit.

Shpërndarja e pikëve në sprintet e këtyre garave do të bëhet për tetë pilotët e renditur të parët, në rend zbritës (8 pikë vendi i parë, 7, vendi i dytë, 6 vendi i tretë...)

Ndërkohë, për të shmangur dështimet dhe përplasjet për ndarjen e pikëve në rastet kur gara ndërpritet për shkaqe të motit, apo shkaqe të tjera madhore, FI ka vendosur që të mos shpërndahet asnjë pikë për pilotët nëse nuk janë zhvilluar dy xhiro nga gara pa ndërhyrjen e makinës së sigurisë.

 


Video