Evropiani U-17 për herë të parë në Shqipëri, Kombëtarja sfidon sot Portugalinë

19 Maj 2025, 13:56Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kombëtarja shqiptare U-17 është gati për ndeshjen e saj të parë historike në Kampionatin Europian U-17 kundër Portugalisë.

Lojtarët e skuadrës, nën drejtimin e trajnerit Andrea Tedesco, kanë përfunduar stërvitjen e zakonshme dhe janë plotësisht të gatshëm për sfidën që do të zhvillohet të hënën në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Ndeshja e parë e Grupit A, Shqipëri – Portugali, do të luhet në orën 18:00, ndërsa përballja tjetër e grupit, Gjermani – Francë, do të zhvillohet po të hënën në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 20:30.

Atmosfera në “Arenën Kombëtare” pritet të jetë e jashtëzakonshme për ndeshjen e parë të Shqipërisë, ku do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes së Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”.

Tetë skuadrat kombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë si vend organizator, janë të ndara në dy grupe dhe do të garojnë për të përcaktuar rrugëtimin deri në finalen e 1 qershorit në Tiranë.

Ndeshjet do të zhvillohen në katër stadiume, përfshirë Arenën Kombëtare, Elbasan Arena, Egnatia Arena dhe Niko Dovana në Durrës.

Video