Një largim i trajnerit Sylvinho nga kombëtarja shqiptare nuk do të ishte i habitshëm, edhe pse ai është nën kontratë, madje deri në fund të këtij viti kalendarik.
Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme për një interes nga Botafogo në drejtim të tij, madje për një bisedë të zhvilluar nga braziliani me pronarin e ekipit.
Gazetari Enriko Gabaj, ka mësuar se tekniku Sylvinho është joshur nga oferta e kampionëve të Brazilit, por asgjë zyrtare deri më tani.
Nga Brazili konfirmohet se tratativat kanë filluar, por ende ndodhen në fazën paraprake, megjithatë duke dhënë bindjen që largimi është i mundur dhe madje pritet në ditët e ardhshme.
Në mars, Sylvinho nuk do të drejtojë kuqezinjtë, por do të synojë të mbrojë titullin kampion me Botafogo.
Paraprakisht palët janë dakordësuar, ndërsa i takon FSHF-së të vendosë nëse do t’i japë dritën jeshile 50-vjeçarit.
Biseda do të bëhet mes drejtuesve dhe teknikut, dhe më pas do të merret vendimi.
Më herët ka pasur interes për Sylvinhon edhe nga Portugalia, por asokohe ishte FSHF që e bindi brazilianin të qëndronte, duke i dhënë besim për projektin e nisur.