Kartoni i kuq për Tomorin në Empoli-Milan, ja pse VAR nuk ndërhyri

8 Shkurt 2025, 21:11Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kartoni i kuq për Tomorin

Empoli-Milan do të jetë një ndeshje që do të diskutohet gjatë për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë takimit, të cilin të dy skuadrat e mbyllën me nga 10 lojtarë. Milanistët janë të inatosur me faktin që humbën në pjesën e dytë Tomorin me karton të kuq, pasi aksioni që solli largimin e tij nga fusha, ishte një pozicion jashtë loje i Empolit.

Por çfarë ndodhi?

Empoli sulmon dhe Kolombo shërbehet në një pozicion të dyshuar jashtë loje. Kryesori Paireto dhe anësori lejojnë lojën të vazhdojë siç ndodh shpesh në epokën e VAR-it dhe nëse Kolombo do të shënonte, goli mund të anulohej për pozicion jashtë loje nëse verifikohej i tillë nga VAR-i.

Por Tomori ndryshon dinamikën duke bërë ndërhyrje me faull ndaj Kolombos dhe Paireto e ndëshkon me të verdhin e dytë, të merituar për llojin e ndërhyrjes. Futbollisti i Milanit protestoi gjatë, duke kërkuar ndërhyrjen e VAR-it pasi mendonte se sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje.

Por për fatin e tij të keq, rregullorja e VAR-it nuk lejon ndërhyrjen për të anuluar një karton të verdhë, pasi ai u ndëshkua me një të tillë e më pas mori të kuqin. Fakti që aksioni nisi në pozicion jashtë loje, nuk ka asnjë lloj ndikimi në këtë vendim. Kësisoj, ky aspekt i çuditshëm i rregullores së lojës, bëri që Tomori të mbyllte ndeshjen para kohe dhe Milani të mbetej me 10 lojtarë.

Video