
Igli Tare mund të jetë drejtori teknik i ardhshëm i PSG-së. Lajmi i bujshëm bëhet me dije nga gazetari i njohur italian për merkaton, Nikolo Shira.
Sipas tij, në Francë po shqyrtohet largimi i Leonardos nga klubi parisien, i cili ka qenë i “plotfuqishmi” në kryeqytetin francez dhe emri i drejtorit teknik të Lazios është mes atyre që po shihen me shumë interes. Leonardo nuk ka arritur të bëjë realitet ëndrrën e Al Khelaifit për të ndërtuar një skuadër që të fitojë Ligën e Kampioneve e kështu ndryshimi pritet të fillojë që nga drejtori sportiv në verën e ardhshme.
Nikolo Shira shton më tej se Igli Tare vlerësohet shumë nga presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi.
“Në intervistat e PSG-së për një pasardhës të mundshëm të Leonardos është edhe Igli Tare. Drejtori sportiv shqiptar vlerësohet shumë nga Al Khelaifi dhe mund të jetë një kandidat me emër për parisienët. Në atë moment, Lacio do të orientohej nga Paskuale Foxhia si drejtori i ri”, shpjegoi Shira.
Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare më herët ju ka thënë "JO" shumë klubeve të njohura europiane, por një ofertë nga PSG, për të ndërtuar një skuadër për fitimin e Ligës së Kampioneve, do të ishte shumë e vështirë për t’u refuzuar.