Asnjë italiane në Kupën e Botës, Real Madrid mposht Juventusin

1 Korrik 2025, 23:14Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Real Madrid mposht Juventusin

Real Madrid vazhdon marshimin e sigurt në Kupën e Botës, duke mposhtur Juventusin 1-0 dhe duke zgjatur serinë e ndeshjeve pa humbje në këtë kompeticion në 14.

Nën drejtimin e Xabi Alonsos, madrilenët kanë regjistruar dy fitore radhazi, por sfida me bardhezinjtë rezultoi një test i vërtetë për forcën e tyre aktuale.

Në minutat e para, Juventusi ushtroi presion të madh dhe ishte shumë pranë golit kur Randal Kolo Muani humbi një rast të pastër përballë Courtois, tentativa e tij e guximshme për ta kaluar portierin përfundoi mbi traversë. Shumë pranë avantazhit ishte edhe Kenan Yildiz, por gjuajtja e tij, që devijoi nga Tchouaméni, kaloi ngjitur me shtyllën.

Real Madrid iu deshën 30 minuta për të krijuar rastin e parë serioz, ku protagonist ishte sërish Jude Bellingham, i cili depërtoi pas mbrojtjes së Juventusit, por gjuajtja e tij u prit nga Michele Di Gregorio dhe më pas u largua nga Daniele Rugani. Portieri italian shkëlqeu edhe pak para pushimit, duke fluturuar për të devijuar një predhë të Federico Valverde nga 30 metra.

Në pjesën e dytë, Valverde ishte sërish i rrezikshëm, por vetëm pak minuta më vonë, Trent Alexander-Arnold dha një asist perfekt, duke harkuar për Gonzalo Garcia, i cili me kokë shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Lajm i mirë për tifozët madrilenë ishte edhe rikthimi i Kylian Mbappe, i cili u fut në lojë pas një mungese për shkak të gastroenteritit akut. Francezi pati një ndikim të menjëhershëm, duke kombinuar bukur me Arda Güler, por tentativa e turkut u neutralizua nga Di Gregorio.

Pavarësisht përpjekjeve, Juventusi nuk gjeti dot golin e barazimit dhe u eliminua. Ndërkohë, Real Madrid kualifikohet për në çerekfinale dhe duket se po gjen formën ideale në momentin e duhur.

Video