Ish-sulmuesit të Partizanit, Theofilus Solomon, i janë vënë prangat nga policia gjatë ndeshjes që skuadra e tij, Dukagjini, po zhvillonte ndaj Dinamos së Ferizajt.
Kur lojtari po bëhej gati të hynte në fushën e lojës për skuadrën e Dukagjinit në pjesën e dytë, forcat e policisë kanë ndërhyrë dhe e kanë arrestuar brenda ambienteve të stadiumit.
Futbollisti ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare për ushtrim dhune ndaj ish-të dashurës së tij.
Pas arrestimit të tij klubi i futbollit, Dukagjini ka reaguar në lidhje me rastin e futbollistit të tyre, Theophilus Solomon. Sipas njoftimit të tyre, Solomon nuk është arrestuar, por është shoqëruar në polici pasi ka përfunduar ndeshja.
“Pas raportimeve në disa portale së futbollisti i klubit tonë, Theophilus Solomon është arrestuar duke u zhvilluar ndeshja, Dukagjini – Dinamo, kur trajneri ka vendosur ta fusë në lojë, nuk është e vërtetë. E njoftojmë opinionin dhe sportdashësit së futbollisti në fjalë nuk është arrestuar siç pretendohet në këto shkrime në portalet tona, por është shoqëruar në polici pasi ka përfunduar ndeshja. Në raportimin gazetaresk, primare është verifikimi i lajmit gjë të cilën këto media dhe portale nuk e kanë bërë. KF Dukagjini këtë çështje e ka lënë në dorë të autoriteteve përgjegjëse”, thuhet në njoftimin e ekipit nga Klina.
Theofilus Solomon ishte liruar nga paraburgimi në Gjilan 8 muaj më parë. Solomon, shtetas nigerian po qëndronte në masën e paraburgimit në Gjilan nga 24 Shkurti i këtij viti, derisa kishte urdhër arresti nga Interpoli për shkak të një vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Tiranë.