Grupi parlamentar demokrat, ai i Rithemelimit ka zhvilluar një mbledhje sot në mesditë ku ka diskutuar për aksionin opozitar. Por jho gjithçka ka vajtur mirë, pasi disa deputetë janë akuzuar si “spiunë” të mediave dhe për këtë arsye tre deputetë demokratë janë larguar nga mbledhja e grupimit të opozitës.
Në debatin me dyer të mbyllura, deputeti Tritan Shehu ka hedhur akuza se dikush po nxirrte informacione nga mbledhja.
Menjëherë pas kësaj deklarate, Helidon Bushati, Agron Gjekmarkaj dhe Dashnor Sula janë larguar nga mbledhja.
Pjesë nga debati:
Dashnor Sula: Ne duhet të jemi të besueshëm për njerëzit. Duhet të kemi propozimin e një qeverie në hije, ku të jenë figura të pastra opozitare. Askush nuk e mendon që Sali Berisha të bëhet kryeministër dhe ne që të jemi përballë Ramës një alternative duhet të kemi një qeveri në hije me figura të pastra.
Asllan Dogjani: Ne duhet ta vendosim sot se kur do të mbajmë mbledhjet në seli.
Tritan Shehu: Pse dalin diskutimet nga kjo mbledhje. Është e palejueshme dhe e papranueshme që na dalin fjalët. Ne duhet të kemi një deklaratë të ashpër si grup për të mbrojtur liderin e opozitës, Sali Berishën.
Helidon Bushati: Tritan unë po çohem që mos kem asnjë peng, që ta dish që s’ta kam nxjerrë unë. Pra po pastrohem. (Ikën nga mbledhja)
Agron Gjekmarkaj: Po iki edhe unë Tritan, një spiun më pak këtu, që unë të mos akuzohem.
Dashnor Sula: Edhe unë po iki Tritan.
***
Ndërkohë, deputetja Albana Vokshi ka zhvilluar një debat me kryetarin e Grupit, Gazment Bardhi.
Vokshi i ka kërkuar llogari Bardhit se përse Rithemelimi nuk ka përfaqësi në Bruksel, në takimin e Komitetit të Stabilizimn Ascoimit.
Sipas saj në Rezolutë duhet të ishte përfshirë edhe çështja e Sali Berishës, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit.
Pjesë nga debati:
Albana Vokshi: Përse Rithemelimi nuk ka përfaqësi në Bruksel, (I referohet takimit në Komitetin e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri), në mënyrë që në rezolutë të propozohej, që lideri i opozitës është i burgosur. Gjatë diskutimit atje duhet të ishte mbrojtur kjo temë, pasi atje ne kemi përfaqësues. Pse nuk e keni propozuar juve që në rezolutë të jetë edhe kjo pikë?
Gazment Bardhi: Juve keni Inën, dhe Ina nuk erdhi për arsyet e veta objektive. Nuk kemi ne ekskluzivitetin të propozojmë të tilla amendamente. Dhe e treta, ne s’mund të propozojmë amendamente për individë të veçantë. Atje flitet për çështje, kemi ngritur dhe përfshirë të gjitha çështjet që janë shqetësime të opozitës, përfshirë drejtësinë, dhe gjykoj se delegacioni ka arritur një sukses me bindjen që u kemi bërë eurodeputetëve për të mbështetur amendamentet tona